Mema: 20 veta nuk përfaqësojnë tifozët e Tiranës, ka nga ata që duan të humbim
Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, foli sot në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Luftëtarit, ku foli për situatën e ekipit, si edhe komentoi incidentin me tifozët në përfundim të ndeshjes me Kukësin.
Ndeshja me Luftëtarin- “Normalisht është rival direkt sepse duam të ngjitemi në klasifikim. Është një ekip që di të luajë shumë fort, me disiplinë. Ne duhet të përgatitemi mirë për këtë pjesë. I kemi mundësitë për të qenë një skuadër me ekuilibër”.
Kalendari – “Që kur kam ardhur kam bërë vetëm një ndeshje brenda, edhe këtë sfidë nesër e luajmë jashtë. Kjo fazë ka qenë shumë e fortë dhe kemi pasur pak probleme për të përgatitur skuadrën në transfertë. Po punojmë shumë që të marrim maksimumin këtyre lojtarëve”.
Incidentet pas Kukësit – “Incidenti në ndeshjen pas Kukësit ka ndikuar më shumë te unë se sa te ata. Ishte një papërgjegjshmëri e disa personave aty. Duhet të punojmë dhe negociojmë me tifozët që të jenë në stadium. Ata që ishin atë ditë, nuk ishin tifozë të Tiranës. 10 apo 20 vetë nuk mund të jenë tifozë të Tiranës. Edhe stjuardët duhet të punonim pak më shumë, sepse falë zotit atë ditë s’pati dëmtime. Për sa i përket lojës, bëmë një ndeshje të mirë. Nuk mund të hyjë tifozi pasi ka mbaruar ndeshja dhe të thuash hiq fanellën. Unë s’mund ta kuptoj dot ndryshe, besoj se ka disa nga ata që duan të humbim. Nga 2 deri në 4 javë që parashikohet, u dënuam 2 javë”.
Ecuria – “Nëse do të bëjmë një kronologji të ndeshjeve, ne kemi pasur shumë mundësi për ta fituar ndeshjen. Por, në aspektin psikologjik duhet të punojmë më shumë sepse ai është frenues në këto momente, të paktën kështu e shoh unë. Humbet përqendrimi para porte. Por, duhet ta kalojmë edhe këtë vështirësi dhe para porte duhet të shkojmë 120 për qind të formës. Tirana i ka pasur të gjitha mundësitë për ta fituar ndeshjen”.
Mungesat– “Turtulli është rikthyer në stërvitje, Blazhevksi akoma jo. Pjesën e sulmit e kemi të cunguar sepse s’kemi pasur sulmues pykë. Pjesa tjetër po fillon të rikuperohet dhe mund të them që në momentin që do jenë pushim prej ndeshjeve të Kombëtares, do të kemi edhe futbollistë të tjerë të gatshëm”.
KOHA JONË SONDAZH

