Messi: Me fat që jam me më të mirët edhe te PSG, Mbappe-n pak e njihja
Lionel Messi është një nga lojtarët më të mirë në botë, por sezoni i tij te PSG nuk ka qenë ndër më të mirët. Transferimi në Paris shkaktoi shumë bujë, por edhe nuk rezultoi i duhuri, sepse sulmuesi argjentinas nuk po arrin të dalë në lojën e tij dhe të shkëlqejë ashtu siç jemi mësuar gjithmonë me të. Në një intervistë për “Marca”, sulmuesi argjentinas ka treguar edhe marrëdhënien që ai ka me Kylian Mbappe i cili po udhëheq skuadrën franceze.
“Unë e njoh Angel di Marian dhe Neymarin më parë. Nuk e njihja Kylianin, por pak nga pak jemi njohur dhe jemi përpjekur të lidhemi më mirë në fushë, për t’u bërë më rehat me njëri-tjetrin. Kam qenë me fat që jam me më të mirët te Barcelona dhe jam edhe te PSG. Jam i lumtur dhe dua të vazhdoj ta bëj mirë.
Parc des Princes është një stadium shumë i veçantë për shkak të mënyrës se si njerëzit e përjetojnë atë, ata janë vazhdimisht duke kënduar. E kisha përjetuar tashmë më parë kur vija me Barcelonën, por ta kem atë çdo të dytën fundjavë është mirë. E ndjen atmosferën, nuk pushojnë së kënduari për asnjë minutë, shpërthejnë kur ka gol. Është një stadium që bën shumë zhurmë”, deklaroi Messi.
KOHA JONË SONDAZH

