Milani i përgjysmuar ndaj Juves, ja kush do të mungojë dhe kush mund të rikuperohet
Barazimi 1-1 ndaj Betisit në Europa League, mund t’i ketë kushtuar shumë Milanit për ndeshjen e fundjavës që do të luajnë ndaj Juventusit. Dëmtimit të Caldaras, mungesës së gjatë të Biglias por edhe problemeve të Higuain, Bonaventuras e Calbrias, infermieria e Milanit ka shtuar radhët edhe me 2 lojtarë të tjerë.
Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Musacchio i cili pas një goditjeje të fortë që mori në shpinë padashje nga shoku i skuadrës Franck Kessie, përjetoi momente frike dhe ankthi pasi mbeti pothuajse pa ndjenja në fushë, megjithatë situata u qetësua menjëherë më pas me mbrojtësin që u largua me barelë dhe përfundoi në spital. Por lajmet që ka përcjellë klubi i Milanit lidhur me gjendjen e Musacchios janë pozitive dhe me shumë gjasa mbrojtësi do të jetë në fushë në sfidën ndaj Juves.
Pak minuta para fundit të ndeshjes u largua i dëmtuar nga Benito Villamarin edhe turku Hakan Calhanoglu për shkak të një goditjeje që mori në këmbë. Mbetet për t’u parë sesi do të jetë gjendja e tij gjatë këtyre dy ditëve, por Calhanoglu mund të mungojë ndaj bardhezinjëve. Edhe mesfushori Franck Kessie shfaqi probleme në fund të sfidës, por për të nuk ka asgjë serioze.
Për sa i përket të dëmtuarve të tjerë, përjashto Biglian dhe Caldaran mungesa të cilëve janë të sigurta, Higuain e ka lënë pas problemin në shpinë dhe do të shtrëngojë dhëmbët duke zbritur në fushë ndaj ish skuadrës së tij. Edhe Calabria mund të rikuperohet në kohë nga problemi që ka në kavilje, ndërkohë që nuk ka asnjë shans për të luajtur ndaj Juves, Jack Bonaventura.
KOHA JONË SONDAZH

