Milani i vendos ultimatum Montelës, e ardhmja varet nga Roma dhe Interi
Pas disfatës tepër zhgënjyese së të dielës ndaj Sampdorias, dje Vinçeno Montela ka takuar në “Milanello” drejtorin sportiv Masimo Mirabeli dhe administratorin Marko Fasone.
TAKIMI
Trajneri kuqezi ka raportuar te krerët për të analizuar së bashku situatën që po kalon ekipi. “Aeroplani” nuk ka më alibi dhe është i detyruar të fitojë kuotë në sfidat e radhës. Nëse ajo ndaj Rijekës në “San Siro” është një mundësi e mirë në këtë aspekt, fitoret me Romën edhe Interin ngjasojnë më shumë si utopi.
Nuk dihet ende se çfarë kanë folur krerët me trajnerin, por diçka e tillë nuk kërkon shumë fantazi. Mesazhi i drejtuesve ishte i qartë që të dielën: “Milani nuk duhet të humbasë kundër rivalëve më të dobët”.
ULTIMATUM
Ballafaqimi i djeshëm duket se ka qenë diçka më shumë, sidomos pas deklaratave të administratorit Fasone, pas ndeshjes me Sampdorian. Përpara se të paraqitej në stërvitjen e ekipit, Montela bisedoi për 45 minuta me eprorët e tij dhe duket se ka marrë një lloj ultimatumi për ndeshjet e radhës në kampionat.
“Djalli” është i detyruar të paraqitet sa më mirë duke sjellë në shtëpi pikë. Ky ka qenë një sinjal i qartë i dy krerëve, të cilët, me sa duket, i kanë bërë të ditur Montelës rrezikun që i kanoset. Me pak fjalë, nëse reagimi i skuadrës nuk bind, trajneri rrezikon seriozisht stolin.
PROVAT
Mes kësaj vorbulle, Montelës i duhet që të përgatisë skuadrën për sfidën ndaj Rijekës. Një fitore e shoqëruar me paraqitje dinjitoze, do të qetësonte disi ujërat e trazuar rreth trajnerit dhe do të ulte trysninë ndaj ekipit.
Megjithëse Europa ka rëndësinë e saj, sfidat e vërteta kalojnë përmes Romës dhe Interit, dy rivale direkte për vendin e katërt. Nëse Montela dëshiron të mbajë vendin e punës, i duhen të paktën katër pikë në dy sfida delikate, ku një trepikësh në derbi do t’i zgjaste ditët në krye të stolit kuqezi.
KOHA JONË SONDAZH

