Momenti negativ i yjeve të kombëtares, ja sa shkojnë vlerat e tyre në merkato

Kombëtarja shqiptare nuk po përjeton një moment shumë pozitiv dhe kjo gjë është mëse evidente. Fakt është se shumë nga futbollistët më të mirë, nuk po gjejnë hapësira në skuadrat e tyre respektive, duke qenë shpesh herë në qendër të merkatos. Faqja e specializuar e merkatos “transfermakt.de” evidenton faktin se disa nga futbollistët kanë një ulje të vlerës së tyre në merkato.

Kombëtarja jone për momentin ka një vlerë totale që shkon në 67.80 milionë euro sipas faqes gjermane, e cila u vendos një vlerë futbollistëve në merkato. Elseid Hysaj është lojtari më i vlerësuar, duke arritur në 23 milionë euro, 2 më pak se vlera që kishte gjatë merkatos së verës. Shkodrani ka njohur një rritje të jashtëzakonshme që nga viti 2016 kur ju bashkua Sarrit te Napoli, por nën drejtimin e Ancelotti-t ai ka humbur shkëlqimin e sezoneve të fundit.

Strakosha vijon të jetë në vendin e dytë duke kapur vlerën e 20 milionë eurove në merkato. Portieri i kombëtares sonë nuk ka arritur që të jetë në nivelin e sezoneve të fundit, por sërish vijon të jetë një nga të besuarit e trajnerit Inzaghi. Mosha e tij e re, vetëm 23 vjeç, është një faktor i rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë, pasi për një vit e gjysmë vlera e tij është shumëfishuar disa herë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

Në pod është sërish një portier: Etrit Berisha. Portieri i Atalantës vijon të ruajë vlerën e sezoneve të fundit, duke qenë në shifrën e 5 milionë eurove sipas faqes gjermane. Fakti që ka rifituar besimin e trajnerit Gasperini pas disa ndeshjesh në fillim të sezonit, është mjaft pozitive për të. “Gardiani” kuqezi është mjaft i saktë në ndërhyrjet e tij dhe këtë e tregon edhe fakti se bergamaskët po shkëlqejnë si në kampionat ashtu edhe në Kupën e Italisë.

Taulant Xhaka është futbollisti i radhës, i cili arrin në vlerën e 3 milionë eurove. Ai është një nga futbollistët më të rëndësishëm tek Baseli, por nuk ka mundur që të ketë  një rritje të madhe në karrierë. Berat Gjimshiti është futbollisti i radhës me vlerë 1.5 milionë euro, por mbrojtësi që aktivizohet tek Atalanta ka njohur një rritje me 500 mijë euro në muajt e fundit për shkak të disa paraqitjeve të mira.

Me të njëjtën vlerë është edhe Eros Grezda, ndërkohë që pak më poshtë me vetëm 300 mijë euro më pak renditet Balaj, i cili ka një rënie të vogël në vlerën e merkatos. Federic Veseli dhe Kamer Qaka mbyll 10-shen më të mirë me një vlerë që shkon në 1 milion euro, teksa një përmirësim të vogël ka vetëm mbrojtësi i Empolit. Vlerësimet e faqes gjermane janë një tregues se për momentin futbollistët e kombëtares kuqezi nuk po kalojnë një moment të artë në karrierën e tyre, teksa Panucci duhet të kujdeset për të marrë më të mirën e tyre. /Rozalb Lika- Koha Jone/

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?