Mungesat e Dembele dhe Suarez nuk shqetësojnë Barcelonën, Mesi shënon 4 në goleadë
Barcelona luan tenis dhe Leo Mesi bën “poker”. Argjentinasi kalon një mbrëmje magjike duke udhëhequr katalanasit drejt fitores me goleadë. Madje, nuk i duhen në fushë as Dembele dhe as Luis Suarez. Ai bëhet lider edhe kur i mungojnë shokët e repartit. Me këtë fitore (6-1 ndaj Eibarit), Barcelona arrin fitoren e pestë radhazi në kampionat dhe qëndron e pa shqetësuar në krye të tabelës.
“Vrasësit”– Nuk ka rëndësi që mungon Dembele, apo që Luis Suarez është në stolin e rezervave. Barcelona dhe Eibari kanë diferenca të frikshme me njëra-tjetrin dhe katalanasit nuk duhet ta llogarisnin fitoren. Eibari rezistoi vetëm 20 minuta dhe Barcelona kalon në avantazh me golin e Lionel Mesit nga pika e bardhë e penalltisë. Semedo depërton në zonë dhe ndaj tij ka një ndërhyrje të Galvez. Hernandez akordon 11-metërsh, edhe pse pamjet në fund nuk i japin të drejtë.
Mirëpo, pak rëndësi ka kjo. Leo Mesi paraqitet në pikën e bardhë të penalltisë dhe realizon me gjakftohtësi duke kaluar në avantazh skuadrën e tij. Me golin e parë të ndeshjes ai arriti kuotën e 40 të tillëve në 40 ndeshje të luajtura, ndërsa në fund kjo shifër shkoi në 44 në 40 ndeshje. Brenda vitit 2017, argjentinasi ka pasur një ecuri të jashtëzakonshme. Mirëpo, Barcelona pati edhe raste të tjera për të shënuar. Ai që realizoi golin e dytë të ndeshjes ishte Paulinjo. Në dy ndeshje ka realizuar dy gola me fanellën katalanase, për më tepër me dy goditje në portën kundërshtare. Kush e kritikoi transferimin e tij, këtë herë duhet të heshtë. Braziliani kërcen mbi të gjithë në zonë dhe e devijon topin në portën kundërshtare.
Goleada- Rezultati 2-0 nuk e kënaq aspak Barcelonën, e cila s’ka ndërmend të heqë dorë nga sulmet e njëpasnjëshme për të thelluar akoma diferencën. Këtë herë është Denis Suarez që dërgon shifrat në 3-0, por merita është sërish e Mesit. Argjentinasi godet dhe portieri reagon mirë, por topi mbetet në zonë dhe Denis Suarez e dërgon në rrjetë.
Më vonë është gjeniu Mesi që shënon dy gola të zgjuar. I mjaftojnë pak centimetra për të gjetur krahun e kundërt të portierit dhe të gjithë surprizohen (më parë Eibari kishte arritur të thyente Ter Shtegenin). Goli i pestë i tij vjen nga një kombinim i bukur me Paulinjon nga e djathta dhe me një goditje të lehtë ia kalon topin portierit poshtë këmbëve. Ky i fundit bëhet shpëtimtar pak minuta më vonë, pasi ndal Dinjen. Mendoni se përfundoi? Gaboheni. “Vrasësi” është ende në fushë dhe shënon golin e gjashtë për Barcelonën dhe të katërtin personal duke arritur në kuotën e 9 golave në këtë sezon. Në 12 goditjet e fundit drejt portave kundërshtare, 8 i ka ndalur në portë. Mjafton me kaq. Makthi i Eibarit përfundon./p.sport
KOHA JONË SONDAZH

