Napoli zgjedh pasuesin e Contes, në detajet e fundit për të gjekur akordin
Napoli duket se ka zgjedhur trajnerin për epokën pas Antonio Conte. Emri që po fiton gjithnjë e më shumë terren është ai i Vincenzo Italiano, me presidentin Aurelio De Laurentiis që po zhvillon një takim vendimtar në Romë me teknikun italian për të mbyllur marrëveshjen.
Në takim janë të pranishëm edhe drejtori sportiv i Napolit, Giovanni Manna, si dhe agjenti i trajnerit, Fali Ramadani. Qëllimi i diskutimeve është arritja e një marrëveshjeje ekonomike që do t’i hapte rrugën fillimit të një cikli të ri te kampionët italianë.
Italiano, i lindur në Gjermani dhe në prag të largimit nga Bologna, raportohet se ka komunikuar tashmë vendimin e tij drejtuesve të klubit emilian. Pas eksperiencave te Spezia dhe Fiorentina, ai shihet si profili ideal për të drejtuar projektin e ri të Napolit.
Sipas raportimeve, Napoli i ka ofruar Italianos një kontratë dyvjeçare, me mundësi zgjatjeje edhe për një sezon tjetër. Paga e propozuar besohet të jetë rreth 3 milionë euro në sezon, ndërsa De Laurentiis duket i vendosur ta bindë trajnerin për të marrë drejtimin e skuadrës.
Në rast se bisedimet në kryeqytet nuk përfundojnë me sukses, alternativa kryesore për pankinën e Napolit mbetet Massimiliano Allegri.
Trajneri italian u nda së fundmi nga Milan pas vetëm një sezoni, në një periudhë të tensionuar të lidhur me dështimin për të siguruar një vend në Champions League. Në ditët e fundit, tifozët kuqezi kanë protestuar kundër drejtimit të klubit, duke shprehur mbështetje për teknikun.
Raportet e mira mes Allegrit dhe De Laurentiis konsiderohen një faktor i rëndësishëm. Presidenti i Napolit e ka vlerësuar prej kohësh trajnerin italian dhe në të kaluarën kishte tentuar disa herë t’i besonte pankinën e skuadrës, pa arritur ta finalizonte marrëveshjen.
KOHA JONË SONDAZH

