Notat e Skënderbeut/ Jashanica “monstër” në prapavijë, Daja strateg!
Radas 7 – Një tjetër “plakush” i rrezikshëm në radhët e korçarëve. Lexon lojën shkëlqyeshëm, shtyn, jep shkelma, luan me nervat e Sudanit dhe dublon mirë Jashanicën. Thjesht fantastik.
Jashanica 7,5 – Gjysmë note me hatër, sepse luajti i dëmtuar. E ka të vështirë të dyluftojë në shpejtësi, por sa i saktë taktikisht. Shumë më i pjekur se një vit më parë dhe ka personalitet pa fund në prapavijë. Skënderbeu ka krijuar një tjetër “mostër” në prapavijë. I pakalueshëm.
Mici 7 – Nëse e keni parasysh që në fushë vërtitej një “kokë e bardhë” në krahun e majtë, e cila vraponte sa në sulm edhe në mbrojtje, ju sigurojmë se nuk ishte makineri që punonte me naftë… Ishte thjesht Mici që vrapoi dhe sakrifikoi pa fund, sepse ishte mbrëmja e tij dhe nuk e humbi rastin.
Osmani 7 – Kush tha që një qendërmbrojtës nuk është xholi? Kush tha që të mëdhenjtë nuk qajnë? Osmani vuajti dje në mesfushë, sepse Dinamo nuk kish se ç’të humbiste, por e rëndësishme ishte që në fund derdhi lot gëzimi. E meritoi! Bëri gjithçka në mesfushë, duke rrëmbyer topa dhe duke “dhuruar” bërryla pa hesap. Ia vlejti.
Lilaj 7 – I përcëlloi në Zagreb dhe dje kroatët e masakruan me një presing mbytës, por ai nuk u përkul. Iu desh të luftonte më shumë se në ndeshjen e parë dhe nuk ishte aq brilant në fazën e ndërtimit të aksioneve, por nuk u dorëzua. Thjesht një shtyllë e këtij Skënderbeu.
Nimaga 6 – Vrapon sa për dy, i ruan krahët Lilajt dhe mbulon zonat boshe që lë Latifi. Gjysmë note më pak për daljen me të kuq. Më shumë sesa ndonjë dëm të madh në fushë e trondit skuadrën psikologjikisht. Duhej më shumë kujdes në ato minuta të nxehta.
Gavazaj 6- Nuk ishte mbrëmja e tij, sepse kroatët e kuptuan se Latifi nuk ndalej, por nëse i linin hapësirë edhe atij, atëherë i priste humbja. E bllokuan ashpër dhe një ndër ta që luajti me nervat e tij ishte edhe Rrahmani. Nuk ishte ndeshja më e mirë, por as nuk kritikohet.
Xhejms 6 – Me hatër disi edhe kaq. Është i detyruar të mendojë më shumë për fazën sulmuese dhe nuk merr asnjë pasim për gol. Por gjithsesi, nuk zhgënjen në 20 minutat që luajti..
Latifi 7 – Skënderbeun dhe të gjithë shqiptarët që e duan futbollin e bukur do t’i marrë malli shpejt për klasin, dredhitë dhe sprintin e tij. Talent i rrallë që edhe dje mbajti nën presion gjithë prapavijën kroate. Ndonjëherë egoist më shumë se sa duhet, por edhe i ka paksa lezet. Mbyllje si në përralla e një aventure speciale. Gjenial.
Soue 6,5 – Punon me turbo se ndryshe nuk shpjegohet ajo rezistencë e frikshme. Përplaset pa mëshirë me rivalët, fiton faulle dhe mbulon zonat boshe si një ekspert i vërtetë. Luan thjesht, por sakrifikon pa masë. Nuk mori asnjë pasim për gol, por fundja nuk ia kërkonte askush me ngulm këtë. I pafat te një sombrero e dështuar. Por një vlerë e shtuar e Skënderbeut.
Trajneri Daja 8 – Mos është shumë vallë? Po ç’mund të bënte më tepër? Eliminoi Dinamon e Zagrebit. Menaxhoi një grup lojtarësh që iu desh të hapnin një cikël të ri dhe mbi të gjitha kaloi katër ture si askush tjetër. Një punë e jashtëzakonshme, së cilës po i merr frytet. Strateg!/panoramasport
KOHA JONË SONDAZH

