Pakult: Deri te goli i parë i Skënderbeut gjithçka ishte perfekte, më pas …
Trajneri i Kukësit, Peter Pakult nuk ka mbetur aspak i gëzuar me faktin që skuadra e tij nuk mundi që të ruante avantazhin e dyfishtë. Strategu austriak vlerësoi rivalët, të cilët sipas tij mbeten superior.
“Nuk është që ndjehemi mirë pasi kishim ndeshjen në dorë, ishim 2-0 dhe kishim raste për golin e tretë, gjithçka funksiononte mirë deri te goli i parë i Skënderbeut. Na morën iniciativën pas kësaj. Mendoj se pas 2-1 gabuam te porta, nuk vepruam siç duhej në fazën mbrojtëse, i lejuam sulmuesit të shënonte ato gola. Pas atij moment ndryshoi loja, u kthye besimi te lojtarët e Skënderbeut, arritën barazimin por ne kishim rast me Gurin. Nuk kishim fat por u pa edhe sot që Skënderbeu është me shumë meritë në kreun tabelës. Mendoj që gabimi ynë është që pas 2-0 duhej të bënim më shumë.
Ka të bëjë edhe me kundërshtarin, kishin mungesa por edhe ne kemi luajtur së fundmi me mungesa. Pastaj Skënderbeu falë fuqisë financiare ka një ekip të madh, edhe nëse i dëmtohen lojtarë, kanë në grup më shumë futbollistë cilësorë se sa kemi ne. Sa i përket ndeshjes së sotme, duke parë kushtet, kur filloi ishte në rregull por më pas me borën u vështirësua loja dhe u barazua 2-2. Por mendoj që atë 2-0 duhej ta mbanim me çdo kusht.
Në momentin e parë sulmuesi bëri një veprim klasi, se ishte shumë i bukur goli, dhe të them të drejtën u pa gabim nga mbrojtja, por ka meritë ai. Sa i përket stadiumit, ma pyesin shpesh por mendoj se do të marrim vendim këto ditë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Pakult.
KOHA JONË SONDAZH

