Pakult: Dua të fitoj sa herë luaj, Vllazninë do ta befasojmë …
Kukësi do të ketë një përballje delikate nesër në kampionët, teksa do të luajë në transfertë ndaj Vllaznisë që kërkon pikë. Trajneri austriaku Peter Pakult, synon që të debutojë me një fitore në krye të kampionëve të Shqipërisë pas një fazë shumë të mirë përgatitore në Turqi.
“Gjatë këtyre tri javëve që unë drejtoj Kukësin, mendoj se jemi përgatitur shumë mirë. I jemi nënshtruar një minifaze përgatitore në Turqi, ku kemi zhvilluar edhe tri ndeshje të mira miqësore, të cilat më kanë dhënë mundësinë për të njohur më mirë lojtarët.
Tani po rifillon kampionati dhe ndeshjet zyrtare janë krejtësisht ndryshe. Sidoqoftë, Kukësi është i përgatitur për ta rinisur mbarë kampionatin, teksa do ta sulmojmë Vllazninë që nga minuta e parë. Po bëmë atë që kemi treguar në miqësore, jam i sigurt se do ta kalojmë me sukses këtë ndeshje. Unë jam trajner, që dua të fitoj sa herë luaj. Nuk më pëlqen që skuadra ime të mundet.
Lojtarët që stërvit e dinë tashmë si jam unë dhe çfarë kërkoj prej tyre. Tani pres ta tregojnë veten në fushë. Dua që nesër të bëjmë atë që kërkoj unë. Kam tri javë këtu dhe besoj se skuadra do të realizojë ato që kërkoj. Merkatoja? Jemi duke kërkuar edhe një sulmues. Kemi disa opsione, shpresojmë ta gjejmë të duhurin”, ka thënë Pakult.
KOHA JONË SONDAZH

