Pakult: Lojtarët vunë në zbatim idetë e mia, Shkodra lojtar inteligjent
Trajneri i Kukësit, Peter Pakult është shprehur shumë i kënaqur nga loja e skuadrës së tij në fitoren ndaj Vllaznisë. Strategu i verilindorëve vlerësoi Donjet Shkodrën dhe Musollin.
“Ishte shumë ndeshje e mirë, sidomos pjesa e parë, që ishte mjaft intensive. Them se e filluam lojën mirë dhe e kontrolluam në vijimësi, ndërsa mbrojtja mbylli mirë hapësirat. Pas avantazhit i lamë kundërshtarët të na bëjnë presion, por nuk u dhuruam shumë hapësira, pasi shënuan një gol aksidental, në goditjen e vetme gjatë 90-minutëshit. Megjithatë, pas barazimit u rikthyem të luajmë mirë dhe shënuam edhe 2 herë, mes shumë rastesh të krijuara.
Komplimentoj djemtë, sepse kanë vënë në jetë të gjithë idetë e mia për lojën dhe kanë shpërblyer punën e bërë në përgatitore. Shkodra është një futbollist mjaft inteligjent, që na ndihmon shumë të qarkullojmë topin. Kam vënë re se ai dhe Musolli, merren vesh mjaft mirë bashkë. Mendoj se kemi një ekip mjaft të mirë, por merkatoja është e hapur dhe jemi të vëmendshëm, në pritje të ndonjë afrimi tjetër”, u shpreh strategu austriak.
KOHA JONË SONDAZH

