Partizani largohet me turp, Laçi, Skënderbeu e Kukësi në gjysmëfinale të kupës
Skënderbeu, Kukësi dhe Laçi janë tre ekipet e para gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë, për këtë edicion, ndërkohë që pasdite do të mësohet edhe skuadra e katërt që do të përcaktohet nga ndeshja që do të luhet në Fier, mes Apolonisë vendase dhe Tiranës.
Në Kukës, nuk ka nevojë për shumë komente. Rezultati i ndeshjes së parë, 2-0 në favor të Kukësit, në “Loro Boriçi” e ktheu ndeshjen e sotme në një miqësore ku secila skuadër nuk donte të lodhej, por thjesht po mendonte për ndeshjet e ardhshme të kampionatit. Sakaq, në Korçë, Skënderbeu ka triumfuar 3-1 ndaj Flamurtarit dhe preu një biletë në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Për vendasit shënoi Osmani dhe kosovari Berisha, në fund të pjesës së parë dhe në fillim të pjesës së dytë, ndërkohë që Flamurtari shkurtoi diferencën në mesin e pjesës së dytë me anë të Hoxhës. Vlonjatët kërkuan në minutat e fundit golin e barazimit që do t’iu jepte ndoshta edhe kualifikimin aq të dëshirueshëm, por kapiteni i Skënderbeut Bledi Shkëmbi realizoi golin e tretë dhe të sigurisë dy minuta para se të mbyllej ndeshja, duke kaluar kampionët në fuqi në turin gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.
Partizani eliminohet në Laç, dhe nisur edhe nga rezultati i dy javëve më parë kur të kuqtë fituan 2-0, disfata e ndeshjes së kthimit, me shifrat 3-0, pas kohës shtesë, ngjallën dyshime. Dyshimet u ngritën që në ndeshjen e kampionatit, në fillim të këtij viti, që doli në barazim 1-1. Në një stadium të boshatisur, për shkak të dënimit të fushës, ndeshja mes Laçit dhe Partizanit nisi me sulmet e kurbinasve që kërkonin golin e parë. Por 45 minutat e para u mbyllën në barazim 0-0 dhe u duk se Partizani po administronte lojën dhe rezultatin e ndeshjes së parë. Në pjesën e dytë vjen edhe kapitullimi i kryeqytetasve. Kurbinasit rrisin edhe më shumë presionin dhe në minutën e 50-të fitojnë një penallti të cilën e shkaktoi Muskaj. Goditjen e merr përsipër Cetkoviç, por malazezi godet shtyllën. Pesë minuta më vonë Muskaj shkakton sërish penallti dhe ndëshkohet me karton të kuq. Këtë herë goditjen e merr përsipër Xhejms, që këtë herë nuk gabon dhe kalon Laçin, në avantazh. Ndërkohë përpjekjet e Laçit shtohen edhe më shumë ndërkohë që Partizani e merr me qetësi .Në minutën e 76-të, Meto shënon edhe golin e dytë dhe koha e rregullt mbyllet në epërsinë e Laçit, 2-0. Me të njëjtat shifra ishte mbyllur edhe ndeshja e kaluar. Duhej shtesa. Në 30 minuta, kur ndeshja po i afrohej fundit, Cetkoviç shënon edhe golin e tretë duke i dhënë kualifikimin skuadrës së Laçit. Partizani largohet i turpëruar nga Kupa, por pas humbjes me të njëjtat shifra 3-0 në Kukës, në ndeshjen e javës së kaluar, të kuqtë vështirë se mund të dalin me trofe nga kjo garë, duke ngjallur zemërimin e tifozëve të tyre.
Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë
Sot- ndeshjet e kthimit
Skënderbeu-Flamurtari 3-1 (1-1)
Shënues: Osmani 45’, Berisha 55’, Shkëmbi 88’/ Hoxha 72’
Laçi-Partizani 3-0 (0-2)
Shënues: Xhejms 55’ (11-m) Meto67’, Cetkoviç 118’
Kukësi-Vllaznia 0-0 (2-0)
Apolonia-Tirana (ora 17.00)
KOHA JONË SONDAZH

