Partizani merr një tjetër lajm të keq, mungon…
Arbnor Fejzullahu ka dy javë që i mungon Partizanit dhe shkak u bë dëmtimi që mori në këmbën e djathtë në ndeshjen e parë të Kupës me Naftëtarin në Kuçovë. Për shkak të këtij dëmtimi, mbrojtësi humbi dy përballjet me rivalët e Partizanit, Kukësin dhe Skënderbeun. Ishte menduar se transferta e Korçës do të ishte mungesa e fundit për 24-vjeçarin, por ai vijon fazën riaftësuese.
Dje të kuqtë kanë nisur punën në terren për dy ndeshjet e kësaj jave, por Fejzullahu vijon të qëndrojë larg grupit. Në këto kushte, trajnerit Iuliano i duhet t’i bëjë llogaritë për ndeshjen e radhës me Lushnjën pa Arbnor Fejzullahun. Mungesa e 24-vjeçarit është e dukshme te “demat”, pasi realiteti ka treguar se stafi nuk e ka një alternativë të denjë për krahun e djathtë të mbrojtjes.
Gjatë merkatos së verës, drejtuesit i sollën si konkurrent Fejzullahut mbrojtësin Andrea Selvaxhio, por duket qartë mungesa e besimit për atë, pasi në atë rol kanë improvizuar Labinot Ibrahimin. Ndërprerja e kampionatit, pas ndeshjes me Lushnjën, është në favor të Fejzullahut, pasi i jep kohë që të rikuperohet për Teutën.
KOHA JONË SONDAZH

