Përplasjet mes tifozëve të Tiranës dhe Besiktasit, UEFA bën gati dënimet për dy ekipet
UEFA ka hapur një hetim për ngjarjet e ndodhura gjatë ndeshjes mes Tiranës dhe Besiktasit të luajtur në stadiumin “Air Albania”. UEFA ka nisur një hetim për ngjarjet që detyruan arbitrin të niste sfidën me 18 minuta vonesë.
Qeveria europiane e futbollit ka marrë në dorë deklarimet zyrtare të gjyqtarit dhe delegatit të sfidës, ndërsa pritet të ketë dënime për të dyja skuadrat. Gjobat janë të paevitueshme, por penalizimet mund të shkojnë deri te mbyllja e stadiumeve për tifozët.
Gjithçka nisi përpara nisjes së ndeshjes. Ultrasit e Besiktasit ndezën flakadanët dhe i hodhën ato në fushë. Më pas ata provokuan tifozët bardheblu që ishin karshi tyre dhe u afruan që t’i godisnin.
Skuadrat u kthyen në dhomat e zhveshjes, ndërsa ndeshja nisi me 18 minuta vonesë, vetëm pas kërcënimit të UEFA-s për pezullim të sfidës dhe hyrjes së forcave të rendit në tribuna.
Edhe pas përfundimit të takimit, tifozët u përplasën sërish në rrugët e kryeqytetit, ndërsa për këto ngjarje policia njoftoi ndalimin e 14 tifozëve, 11 prej të cilëve ishin mbështetës të Besiktasit.
KOHA JONË SONDAZH

