“Pogba nuk është i lumtur te United”, te Juventusi nisin të ëndërrojnë falë Raiolës
Poul Pogba ka kaluar periudhën më të mirë të karrierës së tij te Juventusi, ku edhe u afirmua në majën e futbollit evropian. Më pas erdhi transferimi te Manchester United, por asnjëherë nuk mundi që të rigjente formën e tij më të mirë.
Në “Old Trafford” shpresonte të ishte numri 1 në botë, por ai ka hasur vështirësi të mëdha dhe nuk ka patur vazhdimësi në performacat e tij në fushën e blertë. Viti 2021 po troket dhe bashkë me të edhe lamtumira e mundshme.
Një lamtumirë që duket se është vendosur, nëse u referohesh fjalëve të përfaqësuesit të tij, Mino Raiola. Menaxheri i mesfushorit francez, në fakt, për herë të parë pas katër vitesh, e sheh klientin e tij larg Premier League-s. I intervistuar nga “Tuttosport”, Raiola flet hapur për të ardhmen e francezit.
“Është e kotë të mundohesh të gjesh fjalë të bukura. Më mirë të flasësh qartë, të shikosh përpara dhe të mos humbasësh kohë duke kërkuar fajtorë. Paul në Manchester United është i pakënaqur, nuk është më në gjendje të shprehet siç do të dëshironte dhe siç pritej prej tij. Ai duhet të ndryshojë ekip, duhet të ndryshojë ajrin.
Ka kontratë që do të skadojë pas një viti e gjysmë, në verën e vitit 2022, por unë mendoj se zgjidhja më e mirë për palët është që të shitet në dritaren e ardhshme të merkatos. Përndryshe, Man. United, klub me të cilin kemi marrëdhëniet të shkëlqyera, e di mirë që do të rrezikonte ta humbte falas, pasi për momentin nuk është qëllimi i lojtarit të zgjasë kontratën. Nëse dikush nuk e kupton, do të thotë që nuk merr vesh nga futbolli. Në çdo rast, ata gjithashtu do të më fajësojnë nëse verën e ardhshme Paul do të largohet”, deklaroi agjenti.
Manchester United pagoi për 27-vjeçarin më shumë se 100 milionë euro, duke përfshirë çmimin e kartonit. Juventus duket destinacioni i preferuar, teksa për Pirlon mund të ishte dhurata perfekte për të rregulluar problemet e mesfushës.
KOHA JONË SONDAZH

