Prapaskena/ Allegri dhe Ibrahimovic sherr në një restorant, Tare ndërhyri për t’i ndarë
Klima te Milani duket se ka qenë më e tensionuar nga sa është perceptuar publikisht. Sipas gazetares së Corriere della Sera, Monica Colombo, marrëdhënia mes trajnerit Massimiliano Allegri dhe Zlatan Ibrahimović është përkeqësuar ndjeshëm, deri në një përplasje të fortë verbale që, sipas saj, ka kërkuar ndërhyrje fizike për të shmangur agravimin.
Sipas raportimit të Colombo, përplasja mes Allegrit dhe Ibrahimović ka ndodhur në një restorant, në prani të drejtuesve Giorgio Furlani dhe Igli Tare, të cilët pretendohet se janë detyruar të ndërhyjnë për të qetësuar situatën dhe për të ndarë dy protagonistët.
Gazetarja italiane pretendon se tensionet mes tyre nuk janë të reja, por kanë rrënjë të hershme dhe se rezultatet pozitive të skuadrës kishin ndihmuar në mbajtjen e problemeve larg vëmendjes publike.
Në analizën e saj, Monica Colombo thekson se ambienti kuqezi është tronditur nga tensionet e brendshme dhe se klubi po kalon një fazë fragmentimi. Sipas saj, “Milani po ndahet në fraksione” dhe shumë konflikte të vjetra janë rikthyer në sipërfaqe sapo rezultatet nuk kanë qenë më në favor të skuadrës.
Një tjetër element i përmendur është mungesa e Ibrahimović në ambientet e ekipit. Colombo pretendon se suedezi nuk është parë prej muajsh në dhomat e zhveshjes në San Siro dhe në qendrën stërvitore të Milanellos.
Sipas të njëjtit raportim, pika e thyerjes mes Allegrit dhe Ibrahimović lidhej fillimisht me një vendim teknik për portierin e tretë të skuadrës për sezonin e ardhshëm, por kjo thuhet të ketë qenë vetëm shkëndija që rizgjoi tensione më të vjetra.
Colombo pretendon gjithashtu se Allegri nuk e ka pritur mirë informacionin për kontakte të mundshme me Antonio Cassano, ndërsa një tjetër burim mosmarrëveshjeje ka qenë ndërhyrja e Ibrahimović me këshilla taktike ndaj lojtarëve si Youssouf Fofana dhe Rafael Leão, të cilat, sipas raportimeve, ndryshonin nga udhëzimet e trajnerit gjatë stërvitjeve.
KOHA JONË SONDAZH

