Premier League mbyll sezonin/ Arsenali nis festën e titullit, Tottenhami shpëton nga rënia
Sezoni 2025/2026 i Premier League ka ulur siparin mes emocioneve të mëdha, verdikteve dramatike dhe një kampioni të ri. Pas një pritjeje të gjatë prej 22 vitesh, Arsenal rikthehet në fronin e futbollit anglez, duke fituar titullin kampion dhe duke rikthyer festën në Londrën Veriore.
“Topçinjtë” vulosën suksesin me një fitore 2-1 ndaj Crystal Palace, duke mbyllur në mënyrën më të mirë një sezon të dominuar nga skuadra londineze.
Në zonën e UEFA Champions League, përveç Arsenalit, vendet e kualifikimit i siguruan edhe Manchester City në vendin e dytë, Manchester United në vendin e tretë, Aston Villa në vendin e katërt dhe Liverpool që mbylli pesëshen e parë.
Një nga momentet më emocionale të javës së fundit ishte humbja 2-1 e Manchester City ndaj Aston Villa, sfidë që shënoi fundin e një epoke për trajnerin Pep Guardiola. Pas plot dhjetë vitesh në pankinën e “qytetarëve”, tekniku spanjoll dha lamtumirën, në një mbrëmje të mbushur me emocione.
Po ashtu, ndeshja shërbeu si përshëndetja e fundit edhe për Bernardo Silva dhe John Stones, të cilët morën duartrokitje të gjata nga tifozët, mes emocioneve dhe lotëve në tribunat e stadiumit.
Në garën për Europën, surprizat nuk munguan. Bournemouth dhe Sunderland AFC siguruan për herë të parë në histori pjesëmarrjen në Europa League. Skuadra e Granit Xhaka mbylli sezonin me fitore 2-1 ndaj Chelsea-t, ndërsa Brighton & Hove Albion, pavarësisht humbjes 3-0 ndaj Manchester United, siguroi pjesëmarrjen në UEFA Conference League. Për Chelsea-n, sezoni rezultoi një zhgënjim i madh, me londinezët që e mbyllën kampionatin në vendin e 10-të, larg objektivave të pritshëm.
Dramë pati edhe në fundin e tabelës. Pas rënies së Wolverhampton Wanderers dhe Burnley, skuadra e tretë që bie në Championship është West Ham United. Për “Hammers”, kjo shënon rikthimin në kategorinë e dytë për herë të parë që nga sezoni 2011/12. Ndërkohë, Tottenham Hotspur arriti të shmangë katastrofën, duke fituar 1-0 ndaj Everton dhe duke siguruar qëndrimin në elitën angleze në javën e fundit të sezonit.
KOHA JONË SONDAZH

