Rekordmeni Ronaldo nuk i mjafton Juves, Genoa e ndal për herë të parë “Zonjën” (VIDEO)
Genoa është skuadra e parë që i merr pikët Juventusit gjatë këtij sezoni, duke e ndalu në një barazim 1-1 në “Allianz Stadium”. Kampionët e Italisë shpërdoruan shumë raste, para se të surprizoheshin në pjesën e dytë.Genoa e nisi ndeshjen me mjaft ritëm duke ushtruar presion thuajse në çdo top që preknin futbollistët bardhezi, por diferencën e bëri klasi i futbollistëve të Allegrit, të cilët krijuan raste të rrezikshme. Cristiano Ronaldo krijoi një mundësi shumë të mirë me një goditje me kokë, e cila u ndal nga shtylla, ndërkohë që më pas përfundoi jashtë kuadratit.
Në minutën e 19-të, Cancelo krijon një aksion shumë të mirë në krahun e majtë, topi shkon në zonën e Genoas dhe më pas shoqërohet me lëhtësi në rrjetë nga Ronaldo. 5 herë fituesi i Topit të Artë ka shkruar historinë pasditen e sotme, si lojtari i parë që është aktivizuar në një nga 5 kampionatet më të rëndësishëm në Kontinentin Evropian dhe ka shënuar 400 gola. Ky ishte goli i tij i 5-të në 9 takimet e para me Juventusin në Seria A, ndërsa 311 gola të tij janë në La Liga për Real Madridin dhe 84 të tjerë të shënuar në Premier League për Manchester United.
Sulmuesi portugez mori zemër, teksa disa minuta më pas u ndal nga portieri i Genoas në tentativën për të gjetur golin e dytë. Fillimi i pjesës së dytë nuk ishte aspak i mirë për Juventusin, që në një moment shpërqendrimi pëson golin e barazimit, me Bessa-n që shoqëron topin në rrjetë. Bardhezinjtë kërkuan me të gjitha mënyrat golin e dytë, por nuk e arritën deri në fund.
KOHA JONË SONDAZH

