Rezultatet dhe renditja e javës së dytë, rivalitet i ashpër në krye
Java e dytë e Serisë A nuk rezervoi surpriza. Pas fitores së Interit dhe Juventusit ditën e shtunë, dje ishte radha e Milanit, Napolit dhe Lazios për të bërë detyrën.
Kuqezinjtë e Montellës fituan në shtëpi ndaj Cagliarit me rezultatin 2-1. Lazio e Thomas Strakoshës arriti një fitore mjaft të rëndësishme në transfertë përballë Chievos me rezultatin 1-2. Golat për lacialët i shënoi Imobile në minutën e 11-të dhe Saviç në të 89-tën. Edhe në këtë sfidë Strakosha u aktivizua si titullar duke bërë një paraqitje tepër dinjitoze.
Napoli i Elseid Hysajt, i cili ndeshjen e djeshme e ndoqi nga tribuna për shkak të kartonit të kuq të marrë në sfidën ndaj Veronës, fitoi me përmbysje ndaj Atalantës në shifrat 3-1. Porta e zikaltërve të Gasperinit, u mbrojt nga Etrit Berisha, i cili nuk ishte fajtor në asnjë prej golave të shënuar nga napolitanet.
Në takimet e tjera, Torino triumfoi ndaj Sasuolos me rezultatin 3-0. Fiorentina u mposht në shtëpi me rezultatin 1-2 nga Sampdoria. Spal mundi në sekondat e fundit Udinesen me rezultatin 3-2. Ndërsa Crotone dhe Verona u ndanë në barazim pa gola.


KOHA JONË SONDAZH

