Rrëfimi i Moratës: Sezonin e kaluar preka fundin, u bëra për psikolog
Ndodh që në një pikë të karrierës mund të përjetosh një rënie emocionale, pasi kalon momente të vështira. Një periudhë të tillë ka kaluar në sezonin e fundit edhe Alvaro Morata, i cili ka treguar së fundmi vështirësitë e mëdha që ka kaluar në “Stamford Bridge”, edhe pse erdhi me bujë kur ishte trajner Antonio Conte.
“Muajin e fundit të sezonit të shkuar preka vërtet fundin. Humba dëshirën për t’u stërvitur, për të luajtur, ndieja antipati dhe nervozizëm ndaj kujtdo, arbitrave, rivalëve, tifozëve. Humba ekuilibrin, thuajse humba veten. Kur e kuptova se isha shumë pranë greminës, kërkova ndihmë dhe ajo më erdhi vërtet në momentin e duhur. Sigurisht që iu drejtova një psikologu, një profesionisti, që mund të kuptonte gjithë luftën e errët që zhvillohej brenda meje.
Të bësh një hap të tillë nuk është dhe aq e thjeshtë, sikundër edhe rikuperimi, rikthimi i mirëqenies mendore dhe qetësisë shpirtërore, nuk është një proces që ndodh brenda pak javësh. Në përgjithësi, kur dikush dëgjon fjalën psikolog ndikohet dhe nuk e bën një hap të tillë për shkak edhe të paragjykimit, por ky ishte vendimi më i mirë që kam marrë”.
Morata kujton se ishte shumë pranë largimit nga Chelsea gjatë merkatos së shkuar.
“Mendova se ndryshimi mund të ishe diçka e mirë për mua, të shkoja në nje vend ku presioni të ishte më i ulët dhe unë do të ndihesha më i lumtur.”
KOHA JONË SONDAZH

