Rummenigge: Nuk ka ofertë në botë që na privon nga Olise!
Drejtuesit e Bayern Munich kanë vendosur një vijë të kuqe të qartë për të ardhmen e talentit francez Michael Olise. Në një deklaratë të fortë për mediat gjermane, Karl-Heinz Rummenigge ka përjashtuar çdo mundësi largimi të lojtarit gjatë merkatos së verës.
Olise po kalon një sezon të jashtëzakonshëm, duke regjistruar 19 gola dhe 29 asiste në 46 paraqitje, shifra që e kanë kthyer në një nga lojtarët më të kërkuar në Europë. Interesimi i klubeve të mëdha ka qenë i menjëhershëm, por Bayern nuk ka ndërmend të negociojë.
“Për të nuk ekziston asnjë ofertë në botë që mund të na bëjë të heqim dorë”, është shprehur Rummenigge, duke mbyllur derën për çdo skenar transferimi.
Për të përforcuar këtë qëndrim, ish-drejtuesi bavarez kujtoi një precedent të rëndësishëm: refuzimin e ofertës së Chelsea në vitin 2009 për Franck Ribéry. Sipas tij, filozofia e klubit mbetet e njëjtë, Bayern nuk shet lojtarët kyç nëse kjo dëmton forcën e ekipit, pavarësisht shumave marramendëse që mund të ofrohen.
Rummenigge nuk kurseu as vlerësimet për Olise, duke theksuar se ai është një kombinim i rrallë mes talentit të jashtëzakonshëm në fushë dhe një personaliteti të përulur jashtë saj. “Është një djalë i artë, shumë i rezervuar me mediat, një përjashtim në futbollin modern”, u shpreh ai.
KOHA JONË SONDAZH

