Serie A “torta e milionave”, Interi kryeson fitimet, Roma lë pas Juventusin dhe Milanin
Gara për një vend në Ligën e Kampionëve në Serie A ka hyrë në fazën më vendimtare të sezonit, me katër skuadra që po luftojnë fort për dy biletat e fundit drejt kompeticionit më të rëndësishëm evropian për klube. Milani, Roma, Como dhe Juventusi janë të përfshirë në një betejë të ashpër jo vetëm për renditjen në kampionat, por edhe për përfitimet e mëdha financiare që lidhen me të.
Diferenca në shpërblimet e Serie A mes vendit të dytë dhe të gjashtë arrin rreth 6 milionë euro, por pjesa më e rëndësishme e të ardhurave vjen nga UEFA, e cila i llogarit fitimet duke marrë parasysh pjesëmarrjen, tregun televiziv dhe historikun e klubeve në garat europiane. Pikërisht ky faktor pritet të bëjë diferencën më të madhe në arkëtimet përfundimtare.
Sipas të dhënave të raportuara nga “Calcio&Finanza”, Roma rezulton skuadra me përfitimet më të larta të mundshme nga UEFA, e ndjekur nga Juventusi dhe Milani, ndërsa Como do të kishte të ardhurat më të ulëta për shkak të mungesës së përvojës së gjatë në arenën ndërkombëtare.
Në skenarin e Ligës së Kampionëve, Roma do të përfitonte rreth 43.5 milionë euro, Juventusi 42.6 milionë, Milani 38.5 milionë, ndërsa Como 34.9 milionë euro. Në rast pjesëmarrjeje në Ligën e Evropës, shifrat do të ishin më të ulëta për të gjitha skuadrat.
Edhe shpërblimet nga renditja përfundimtare në Serie A shtojnë diferenca të rëndësishme: Interi si kampion përfiton 15.7 milionë euro, Napoli 13.2, Milani 11.3, Roma 9.4, Como 8.1 dhe Juventusi 6.9 milionë euro, ndërsa Atalanta renditet më poshtë me 5.6 milionë euro të garantuara.
Kjo situatë e bën garën edhe më të fortë, ku çdo ndeshje e mbetur mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në renditje, por edhe në të ardhurat financiare të klubeve për sezonin e ardhshëm.
KOHA JONË SONDAZH

