Shaqiri: Fitorja më e bukur e sezonit, Duro: Jemi ende në garë titull
Kukësi sfidoi sot në stadiumin “Zeqir Ymeri”, një rivali direkt për titullin kampion, si Partizanin, ndoshta zhvilloi edhe ndeshjen më të mirë të këtij sezoni. Jo vetëm fitorja 3-0, ndaj një rivali direkt, që dallohet për mbrojtjen e fortë, apo edhe loja e paraqitja e lojtarëve, jo vetëm e Pejiç, Zeqirit e Lushanakut që shënuan golat e fitores, por e tërë ekipit, si një tërë, bën të ndihet i qetë si trajneri Artim Shaqiri, ashtu edhe presidentin Safet Gjici. Ata po besojnë gjithnjë e më shumë tek titulli. Tifozët e shumtë që mbushën stadiumin në këtë sfidë, po ashtu. Në Kukës, me të drejtë mund të festohet dhe dita e Shën Valentinit iu ka dhuruar ndoshta fitoren më të bukur të këtij sezoni. Trajneri i nën-kampionëve të Shqipërisë i jep notën maksimale skuadrës së tij, sidomos në finalizimin e aksioneve. – “Kjo ishte një nga ndeshjet më të mira që Kukësi ka zhvilluar deri tani, ndoshta ishte pika kulmore e skuadrës sonë. Kemi treguar kualitet dhe i kemi finalizuar rastet që na janë paraqitur, ndryshe nga çfarë ka ndodhur më parë,” – theksoi trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri.
Partizani, trajneri Duro: Jemi ende në garë për titull
Trajnerin e Partizanit, Shpëtim Duro, u shpreh pas ndeshjes së djeshme se fitorja e Kukësit ishte mëse e merituar, ndaj kundërshtarët duhen përgëzuar për këtë sukses. -“Të humbasësh ndaj Kukësit nuk është çudi, por jam i mendimit që u prishën ekuilibrat në fushën e lojës. Jemi goditur në momentin kur po e kontrollonim lojën, ndërsa me daljen me të kuqe të Bathës, mendoj se gjithçka përfundoi. Në vuajtëm lojën e Kukësit me topa të gjatë. Në 20 minutat e para ne ishim më mirë, nëse do të shënonim loja do të kishte tjetër rrjedhë. Detajet janë ato që ndryshojnë rrjedhën e lojës. Kukësi shfrytëzoi shtat-lartësinë” – shtoi Duro, i cili ashtu si edhe para ndeshjes, pavarësisht humbjes, e sheh Partizanin në garën për titull, pasi sipas tij kalendari e ndeshjeve në vazhdim e favorizon skuadrën e tij. – “Janë 6 pikë diferencë, por ndoshta do të kemi kalendar më të mirë. Çdo gjë është e hapur. Llogaritë do të bëhen në fund të kampionatit. Keqardhje për tifozët e Partizanit, por dua t’i përgëzoj edhe tifozët dhe trajnerin e Kukësit për rezultatin që morën.” – thekson Shpëtim Duro.
KOHA JONË SONDAZH

