Shpallen kampionë, por peshëngritja është sport i harruar
Se sporti në Shqipëri është në krizë, nuk është lajm. Përjashto futbollin, ku pjesëmarrja është masive si rezultat i globalizmit dhe marketingut, pjesa tjetër e sporteve ka një pjesëmarrje gjithmonë e më të vogël.
Këtij “rregulli” nuk i shpëton as peshëngritja, sporti që na ka dhuruar shumë medalje dhe na ka bërë të ndjehemi krenarë sa e sa herë kur kemi parë të shpalosur flamurin kombëtar dhe kemi dëgjuar himnin tonë në arenën evropiane, e së fundmi edhe atë botërore.
Kampionati botëror që u zhvilluar në SHBA, na dhuroi medaljen e artë të Romela Begajt në stilin e shkëputjes dhe vendin e dytë në dygarësh. Erkand Qerimaj dhe Briken Calja kanë arritur rezultate të mira. Shkodrani me vendin e gjashtë, elbasanasi ka arritur vendin e katërt. Po flasim për Kampionatin Botëror, mos harroni!
Erkand Qerimaj, pak kohë më parë akuzoi për kushtet skandaloze të palestrës së Shkodrës.
Megjithatë, pavarësisht se peshëngritja mund të cilësohet si sporti më elitar dhe i suksesshëm në Shqipëri, ne përballemi me një nivel gjysmë-amator. Jo për faj të sportistëve, sigurisht!
Themi gjysmë-amator, pasi nëse kombëtarja e Shqipërisë udhëton drejt SHBA-së, në Kampionatin Botëror pa fizioterapist, si mund të mos quhet i tillë? Për rrjedhojë, të 3 sportistët tanë më të mirë kishin probleme fizike dhe shëndetësore.
Si Romela, si Erkandi, si Brikeni apo kushdo tjetër nga sporti i peshëngritjes nuk trajtohet si një sportist i mirëfilltë, pasi me të ardhurat e marra nga ky sport nuk do t’ia dilnin të shtynin as muajin. Vëmendja te to sillet vetëm kur ka rezultate të mira dhe pozitive, por nuk duhet të jetë vetëm kështu, pasi kurba e sportistëve mund të ketë edhe ulje. Pikërisht, atëherë kur kanë më shumë nevojë, harrohen a janë gjallë.
E nëse nuk do të ishte për vullnetin e hekurt të secilit, ata do të ishin larguar me kohë nga ky sport. Kushtet që stërviten janë skandaloze, ndërsa palestrat të mjeruara. Madje, disa në palestrat e tyre kanë ende materialet e komunizmit të trashëguara dhe çudia është se ja dalin me ta. E turpshme!
Natyrisht, në suksese dhe rezultate të tilla të larta, politikanët dhe krerët e Federatave hidhen dhe përdridhen kush e kush të dalë i pari, por për të kuptuar vërtetë se sa kanë bërë, mjafton të shihet pjesëmarrja e të rinjve në këtë sport, e cila është në nivele alarmante.
Romela, Erkandi, Brikeni na kanë bërë shumë krenarë, por kush do e mbajë stafetën pas tyre?/E dua sportin/
KOHA JONË SONDAZH

