Starova: Teuta e fortë, me dopingun jemi katastrof!
Te Partizani është rikthyer atmosfera pozitive pas fitores së fundit 6-0 ndaj Lushnjës, por përballë është Kamza që ka surprizuar në javën e fundit duke mundur Kamzën. Të kuqtë do të udhëtojnë drejt Durrësit për një sfidë që pavarësisht se në letër mund të duket e lehtë, nuk rezulton e tillë për trajnerin Sulejman Starova, që rikujton rezultatet e javëve të fundit.
“Në kampionatin tonë nuk ka kundërshtarë të lehtë, për më tepër që Teuta para pak ditësh arriti një fitore me mjaft vlera në trasfertë. Teuta është një skuadër e cila është ndërtuar për të bërë rezultate këtë vit, e mbështetur financiarisht. Ka patur momente shumë të mira ka patur edhe luhatje, por është një skuadër që mund të bëj rezultat pozitiv ndaj çdo ekipi të kampionatit, ndaj them se është një ndeshje shumë e fortë dhe mjaft e rëndësishme”.
Mendoni se fitorja e thellë ndaj Lushnjës do të jetë fillimi i një serie rezultatesh pozitive?
Fitorja ndaj Lushnjës me goleadë nuk është tregues, garanci për vazhdimësinë e rezultateve janë lojërat e mira. Nëse skuadra do të vazhdoj të luaj me këtë ritëm, me këtë gjendje të mirë që po shfaq, ka premisa që të ecim lart. Sigurisht objektivat i kemi deklaruar kemi synim për të siguruar pjesëmarrjen në kupat e Europës.
Gjendja e lojtarëve në prag të takimit ndaj Teutës?
E konsideroj grupin të plotë sepse na duhet pak kohë të presim rikthimet e Telushit, Fejzullahit dhe Çanit, ndaj them që mungesa e këtyre lojtarëve tashmë dihet dhe janë lojtarë kryesorë , për sa i përket të tjerëve të gjithë janë të gatshëm. Shpresoj që Telushi, Fejzullahi dhe Çani të japin kontributin e tyre përgjatë këtij sezoni sepse gjendja e tyre sa vjen e po përmirësohet dhe të gjithë do të ishim të lumtur nëse edhe ata arrijnë të kontribuojnë për ekipin.
Jeni të kënaqur me performancën e sulmuesve ?
Sigurisht jam i kënaqur nga loja e Prognit, Bardhit, Trashit dhe Asanit dhe kjo po vërtetohet nga java në javë. Sigurisht që nuk ka një lojtar që të mos ketë të meta. Soue p.sh arriti të realizonte dy gola ndaj Kukësit në ato kushte atmosferike mjaft të vështira , por ka patur edhe ndeshje që nuk e ka prekur topin. Kemi edhe Bushiç që konsiderohet si nga më të mirët e kampionatit edhe ky sulmues ka ndeshje që nuk e prek topin. Kur flas për lojtarët e mi kam thënë një realitet. Në gjithë vijën sulmuese loja skuadrës sigurisht me protagonist Prognin, Bardhin, Trashin, Asanin e kanë justifikuar dhe ne mbetemi me shpresë tek vazhdimësia sepse nuk mjafton që kanë bërë mirë deri në këtë moment , por kryesore është edhe vazhdimësia.
Abdurahimi nuk u grumbullua për sfidën ndaj Lushnjës ?
E kam thënë edhe më përpara që ekipi do bazohet tek ajo skuadër të cilën nuk e lanë të shpallej kampion, pra ai kontigjent lojtarësh dhe të tjerët që u afruan në janar. Nuk ka lojtarë që është afruar në janar dhe menjëherë të jetë në formacion përsa i përket aspektit ofensiv. Diçka më e lehtë rezulton në aspektin difensiv ku dyshja Belica–Gojkoviç janë aktivizuar si titullarë. Jemi në pritje që edhe pjesa tjetër e lojtarëve të afruar ti bashkohen skuadrës për një luftë të ndershme konkurrence në formacion. Kjo është situata jo vetëm për Abdurahimin , por edhe për Ramadanin dhe për Sulejmanin që po e promovojmë. Mendoj që kjo është situata, pasi 11 veta do luajnë.
I druheni aleancave në këtë pjesë të dytë të sezonit?
Më tepër i druhem gjyqtarëve. Nëse ata do të vazhdojnë të na gjykojnë mirë kjo mendoj që është një premisë shumë i mirë. Për sa i përket aleancave jemi në Shqipëri dhe mendoj se ka skuadra që kanë relata të mira me ndonjë tjetër. Të paktën gjykimi të jetë i drejtë sepse me gjithë respektin që kam për mediat edhe ju duhet të jeni pak më të ashpër ndaj komisioneve që nuk dënojnë. Gjyqtarët mund të gabojnë dhe gabimet njerëzore i mirëpresin të gjithë. Vetëm kështu rregullohet, nuk mund ta rregullojmë ne lojtarët, trajnerët, ato që organizojnë garën. Ju media jeni partneri ynë kryesor në këtë drejtim që të rrisim kampionatin, fjala juaj është shumë domethënëse. Shpresoj që të vazhdoj të gjykohet mirë sepse kemi një kampionat me 10 skuadra siç është, ka konkurrencë të madhe, konkurrenca prodhon progres dhe ne duhet ta ruajmë.
Keni një koment për rastin Jashanica?
Për sa i përket dopingut kemi dëgjuar shumë raste dhe këtu e përsëris prapë me të gjithë ne. Fillojmë me shtangën e njëjta histori sportistët dalin pozitiv, pra jemi në gjendje katastrofike për sa i përket kontrollit të dopingut në të gjitha disiplinat. Për rastin e Jashanicës unë mendoj se ai është një viktimë sepse futbolli nuk është një sport individual që ai të dëmtoj veten e tij. Ky rast mund të ketë qenë një gabim i stafit mjekësor dhe një rast i tillë ka ndodhur edhe para disa vitesh me lojtarin Dragusha. Unë nuk besoj që një futbollist të sakrifikoj shëndetin e tij për një sport që në fund të fundit është sport kolektiv jo individual.
KOHA JONË SONDAZH

