Stivi Frashëri, portieri i Tiranës drejt rekordit të Alban Hoxhës
Portieri i Tiranës Stivi Frashëri po ecën në gjurmët e portierit të Partizanit, Alban Hoxha. Pas fitores së fundit të Tiranës, 2-0 me Elbasanin në Fushë-Krujë, bardheblutë njohin një ecuri pozitive prej 401 minutash pa pësuar gol në kampionat. Meritë ka padyshim numri një i portës bardheblu, i cili e ka ruajtur të paprekur portën e tij që pas minutës së 49’, në sfidën ndaj Teutës. Ai nuk ka pësuar gol për 90 minutat e plota, në katër takimet e tjera, ndaj Apolonisë, Flamurtarit, Vllaznisë dhe Elbasanit. Frashëri ia dedikon të gjithë skuadrës dhe nuk e sheh këtë fakt si një arritje personale. – “Është meritë e të gjithë ekipit, që nuk kemi pësuar gol për një kohë kaq të gjatë. Nuk dua të thyej rekorde, por të ecë sa më mirë ekipi.” Suksesi ndaj Elbasanit bëri që Tirana të ruajë vendin e parë në kampionat për efekt golavarazhi ndaj Kukësit. Në mesjavë bardheblutë do të luajnë ndeshjen e kthimit të kupës, e vlefshme për një vend në gjysmëfinale. Dy javë më parë ndeshja mes tyre u mbyll në b arazim 2-2, duke e lënë të hapur kualifikimin. Frashëri edhe pse nuk është portieri titullar në këtë kompeticion shpreh besimin se Tirana do të kualifikohet, pavarësisht se përpara është një kundërshtar i rrezikshëm. – “Apolonia e tregoi në ndeshjen e parë që është një kundërshtar i vështirë, edhe pse ne e morëm disi lehtë sfidën e parë. Megjithatë shkojmë në Fier për të fituar dhe besoj që do ia dalim të kualifikohemi.” Suksesi ndaj Apolonisë është i rëndësishëm për moralin tek 24 herë kampionët, pasi kalendari deri në fund të kësaj faze i rezervon duelet direkte, duke nisur që nga fundjava në Laç ndaj ekipit vendas. Frashëri për këtë sfidë dhe thekson se pavarësisht humbjes në Kukës, Partizani mbetet një pretendent në garë për titull. – “Kemi një ndeshje të vështirë në Laç, ku duhet të fitojmë medoemos. Ndeshja më e vështirë në javët e ardhshme është ajo me Partizanin, pasi i shoh të kuqtë plotësisht në garë për titull. Kampionati është i gjatë dhe diferenca prej 6 pikësh është lehtësisht e rikuperueshme,” – shprehet Frashëri. Tirana do të kryejë seancën e fundit stërvitore në kryeqytet, këtë të martë. Të mërkurën, në ora 17.00, do të luajë ndeshjen e kthimit të çerekfinales ndaj Apolonisë, para se cilës trajneri Gugash Magani ka bërë thirrje që të jepet maksimumi, pasi kundërshtari nuk ka se çfarë humbet dhe mund të t’iu shkaktojë probleme. Tiranës i duhet në këtë ndeshje të shënojë patjetër, pasi bazimi pa gola, apo qoftë edhe një rezultat 1-1 do ta nxirrte jashtë loje.
KOHA JONË SONDAZH

