Talenti Myrto Uzuni: Kombëtarja e Shqipërisë, ëndrra ime
Djaloshi 19 vjeçar beratas, Myrto Uzuni, i ardhur gjatë muajit janar tek Aplonia, nga Tomori i Beraiit, spikati që në ditët e para, duke u cilësuar si një nga talentet e rinj të futbollit shqiptar. Uzuni e ka krijuar karrierën e tij mes Shqipërisë dhe Greqisë ku i është dashur të lëviz bashkë me familjen. Viti 2015 nisi në mënyrën më të mirë për pasi kishte mbyllur një histori më shumë se 1 vjecare të suksesshme tek Tomori ku nga tifozët u shpall edhe futbollisti më i mirë i vitit të kaluar bëri edhe hapin e madh në Superiore. Oferta nuk munguan gjatë janarit kur në një moment dukej shumë afër Laçit por ishte tekniku Mërgjyshi që ngulmoi ta afronte në Fier dhe Uzuni iu bashkëngjit Apolonisë. Duket se tashmë ky futbollist mund të jetë në fokusin e skuadrave kombëtare ndërkohë në një bisedë ai tregon karrierën e tij nga fillimet e deri tek gjendja aktuale tek Apolonia por nuk harron edhe synimin e tij të madh, Kombëtaren. Po ashtu Uzuni tregon idhujt dhe dëshirat e tij të së ardhmes.
Myrto një muaj në Superiore, si po ndiheni në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar?
Ishte një dëshirë që e kisha prej kohësh kalimin në elitë sepse ndihesha plotësisht gati sapo erdhi momenti nuk e humba. Sigurisht që diferenca mes Superiores dhe Kategorisë së Parë ekziston sepse futbolli në Superiore është më profesionist në Shqipëri dhe ndihem mirë që tashmë jam pjesë e tij.
Na tregoni pak për veten për ata që nuk iu njohin duke nisur nga fillimet e tua në futboll?
Futbollin e kam nisur kur isha 8 vjeç në Berat me trajnerin Bledar Fatia dhe më pas u zhvendosa në Greqi bashkë me familjen po sigurisht futbollit nuk iu ndava. Babai im ka pasur shumë dëshirë që unë të ndiqja futbolli ndoshta duke parë edhe të dhënat e mia por shumë shpejt futbolli u kthye gjithashtu në pasionin tim apo si mund ta them futbolli është vet jeta ime. Në Greqi luaja në një ekip amator të quajtur Doxa Pigadakion për rreth 6 vite duke pritur të bëj hapin e madh. Por në një moment që hap pritej të kalohej kur shkova për tu provuar te Olimpiakos gjërat nuk shkuan si duhet.
Pse nuk qëndruat tek Olimpiakos?
Është histori pak e komplikuar pasi aty qëndrova për rreth 2 javë dhe prova po shkonte shumë më mirë se e mendoja. Por në fund menaxheri i Doxa, i cili deri në ato momente më kishte privilegjuar në ekipin e tij më kërkoj disa përfitime financiare që unë nuk mund ti paguaja. Kjo u bë shkak që unë të mos shkoja në atë periudhë në një nga akademitë më të mëdha në Evropë, si Olimpiakos.
Më pas erdhi rikthimi në Shqipëri dhe tek Tomori. Si do ta cilësoni eksperiencën aty?
Rikthimi në shtëpi është gjithmonë i bukur por edhe ambientimi është shumë i thjeshtë. Unë tek Tomori e nis nga U-17 dhe hap pas hapi arrita te skuadra e parë. Sigurisht kënaqësia ishte e madhe të ishe para publikut të qytetit tënd dhe të veshësh fanellën e skuadrës së zemrës. Ajo që kalova aty më ka bërë në çdo aspekt sepse ishte pikërisht Tomori vendi ku u afirmova ndaj më duhet vetëm ti vlerësoj dhe falënderoj të gjithë ata njerëz që më përkrahën.
Keni 1 muaj tek Apolonia. Cilat janë ndjesitë e para?
Shumë pozitive. Është një klub shumë modern në të gjitha planet dhe ndihem mirë që jam pjesë e kësaj skuadre. Do të bëj më të mirën time për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivave por e di që objektivi ynë primar është i vështirë për t’ia arritur por ne do ta kërkojmë ta realizojmë deri në fund.
Cilat janë objektivat e tua në të ardhmen?
Të jap më të mirën time për Apoloninë duke e vënë veten në qendër të vëmendjes. Por objektivi im më i madh është sigurisht arritja e Kombëtares duke e nisur nga ajo U-21. Sigurisht që objektiv është të jem gjithmonë në elitë.
Mendon se e meriton një thirrje në Kombëtaren U-21?
Është ëndrra ime më e madhe pasi të vesh atë fanellë është ëndrra ime. Unë do të bëj maksimumin që ti tërheq vëmendjen trajnerit dhe stafit të Kombëtares dhe shpresoj që sa më shpejt ta meritoj atë ftesë.
Cili është idhulli yt në futboll? Po skuadra ku ëndërron të luash?
Përsa i përket idhullit tim ai është Kristiano Ronaldo dhe shpesh e kam si shembull për ta ndjekur për ato që ai bën në fushë duke u nisur nga fakti që luajmë në të njëjtat pozita. Përsa i përket ëndrrave nuk dua të them sepse mund të mbetet vetëm e tillë por sigurisht që dëshiroj që më vonë të bëj një hap më të madh duke kaluar në një tjetër kampionat më profesionist. Nëse do të zgjidhja një skuadër në Shqipëri do të ishte Partizani.
KOHA JONË SONDAZH

