Tensione para derbit të Torinos, policia shmang përplasjen mes ultrasve
Forcat e rendit në Torino kanë arritur të parandalojnë një përplasje të mundshme mes tifozëve ultras të Juventusit dhe Torinos gjatë orëve të natës së së shtunës, falë monitorimit të shtuar dhe ndërhyrjes në kohë të strukturave të sigurisë.
Sipas raportimeve, lëvizjet e dy grupeve të tifozëve janë ndjekur për disa orë në zona të ndryshme të qytetit piemontez nga agjentët e Digos, të cilët kishin intensifikuar kontrollin për të shmangur incidente para derbit të Torinos.
Rreth orës 22:00, një grup i madh tifozësh juventinë është parë pranë selisë së grupimit “Drughi” në Moncalieri, ku janë ndezur edhe disa tymuese. Paralelisht, qindra tifozë të Torinos janë grumbulluar fillimisht pranë një lokali në lagjen Vanchiglia dhe më pas janë zhvendosur drejt qendrës së qytetit, pranë sheshit Vittorio Veneto, një zonë ku ndodheshin edhe patrulla policie.
Më vonë, rreth orës 00:30, tifozët ultras të Torinos janë spostuar me automjete dhe skuter në pjesën jugore të qytetit, jo shumë larg stadiumit “Olimpico – Grande Torino”, duke rritur tensionet në terren.
Rreth orës 01:00, në rrugën Spazzapan, është shënuar momenti më i rrezikshëm, kur edhe tifozët ultras bardhezinj janë afruar në kërkim të një kontakti të drejtpërdrejtë. Megjithatë, ndërhyrja e shpejtë e patrullave të Digos ka bërë të mundur shpërndarjen e tyre dhe shmangien e përplasjes fizike mes palëve.
Autoritetet italiane po vijojnë monitorimin e situatës për të parandaluar çdo incident të mundshëm gjatë ditëve në vijim, duke marrë parasysh edhe ndjeshmërinë e derbit të Torinos.
KOHA JONË SONDAZH

