Tirana frenon me fat Vllazninë, Laçi shkatërron Partizanin me super Mazrekajn
Java e 12-të e Kategorisë Superiore ka nisur me spektakël dhe shumë gola. Vllaznia vijon me ecurinë pozitive duke marrë një barazim 1-1 kundër Tiranës. Në “Selman Stermasi”, kuqeblutë ishin dominues veçanërisht në pjesën e dytë kur ishin në avantazh numerik pasi te Tirana u ndëshkuar me karton të kuq Torassa në minutën e 74-t.
Tirana kaloi në avantazh që në minutën e 13-të me Ernest Mucin, por bardheblutë nuk mundën të ruanin rezultatin deri në fund. Ymeri shënoi me kokë 10 minuta nga fundi, ndërkohë që portieri Bekaj shpëtoi Tiranën nga humbja.
Laçi ka arritur që të marrë një fitore shumë të rëndësishme 3-1 ndaj Partizanit. Kurbinasit zhbllokuan shumë shpejt ndeshjen që në minutën e 8-të me Harmon, por dy minuta më pas Cara do të vendoste baraspeshën. Në fraksionin e dytë Mentor Mazrekaj ndëshkon ish-skuadrën e tij Partizanin, duke shënuar dy gola me shumë peshë, që e ndihmojnë Laçin të ngjitet në vendin e tretë me 17 pikë.
Skënderbeu mori 3 pikësh me shumë vlera, 4-3 kundër Bylisit. Mensah, Qaqi, Taipi dhe Berisha ishin autorët e golave për korçarët, ndërkohë që te ballshiotët shënuan Murataj, Carkanji dhe Anthony. Apolonia mori fitoren e dytë në kampionat, 2-1 ndaj Kastriotit. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

