Tirana, në gjysmëfinale në kupës, Magani: Jemi në rritje, i duam të dy trofetë
Tirana është skuadra e katërt që kualifikohet për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë kaluan me rezultatin 3-0 sfidën e kthimit të raundit çerek-final, Apoloninë, falë golave të realizuar nga Pashaj, Taku dhe Bushiç, por mbi të gjitha Tirana bindi në lojë përballë fierakëve. Ndeshja e kaluar kishte përfunduar në barazim 2-2. Në përfundim të takimit trajneri Gugash Magani vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij teksa theksoi se ekipi që ai drejton nga njëra ndeshje në tjetrën po rritet gjithnjë e më shumë. -“Vinim pas një rezultati shumë negativ të dy javëve më parë dhe për këtë fakt kemi qenë pak nervozë. Skuadra bindi në lojë dhe në rezultat, nëse do të ishim dhe pak më të qetë mund të kishim fituar edhe më thellë. Gjithsesi unë jam i kënaqur me këtë sukses dhe me paraqitjen e skuadrës,” – shprehet trajneri i Tiranës, Gugash Magani. Trajneri 49-vjecarit peqinas thekson se Tirana ka ende shumë punë për të bërë nëse dëshiron ta mbyllë sezonin me dy trofe. – “Diferenca është shumë e madhe sepse këtë vit puna ka filluar shumë më herët si me merkaton si me përgatitjet e skuadrës. Jemi në rrugë të mbarë por duhet të vazhdojmë të punojmë fort pasi dëshirojmë të fitojmë të dy trofetë,” – theksoi Magani.
Nga ana tjetër trajneri i fierakëve, Artan Mërgjyshi e pranoi se Apolonia e ka shumë të vështirë të zhvillojë dy ndeshja brenda një jave. Sipas Artan Mërgjyshi edhe mungesat që kishte Apolonia ndikuan jo pak në këtë humbje, që pësuan fierakët. – “Është e vërtetë që sot nuk ishim në ditën tonë. Goli i shpejtë që morëm na penalizoi edhe pse unë e kisha përgatitur skuadrën për goditjet standarde. Arsyeja tjetër e kësaj humbjeje ishte freskia fizike që me kalimin e minutave skuadra ime nuk e kishte më. Nuk e kemi grupin të kompletuar dhe është e vështirë për ne të luajmë 2 ndeshje në javë. Pas golit të shpejtë që pësuam u përpoqëm të reagonim por gabuam në shanset që na u dhanë. Kishim edhe mungesa të rëndësishme si Atanda që është grumbulluar nga kombëtarja e tij por nuk kishim në dispozicion dhe Hysenshahajn,” – theksoi trajneri Artan Mërgjyshi.
KOHA JONË SONDAZH

