Uzuni me sytë nga Europiani, bëhet idhull për tifozët e Granadas
Myrto Uzuni vërtet ka hyrë në zemrën e tifozëve të Granada-s, pavarësisht sezonit aspak pozitiv të ekipit të tyre në La Liga. Me golin dhe me lojën ndaj skuadrës së Osasuna, ai u vlerësua si më i miri në fushë, ndërsa me deklaratat pas saj edhe si njeriu më i përkushtuar ndaj stemës dhe fanellës.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare tha se vazhdon të luajë me gjilpëra për shkak të dëmtimit, se nuk stërvitet aspak, por vetëm aktivizohet në ndeshje, dhe kjo sepse dëshiron të japë gjithçka për bluzën e Granada.
Reagimet e tifozëve ishin të shumta, ndërsa veçohet blogeri Fran Rodriguez, i cili e shprehu shumë qartë rëndësinë e Uzunit për skuadrën spanjolle.
“Kur je përpara një turneu të madh si Evropiani, ti nuk mund të humbasësh mundësinë për të luajtur për vendin tënd, për Shqipërinë. Të mos harrojmë se jemi në maj, dhe normale do të kishte qenë që të kishte kërkuar pushim për t’u rikuperuar. Gjithsesi, është ai vetë që kërkon të luajë, dëshiron të japë gjithçka për fanellën, siç e tha për Movistar dhe kjo është për t’u respektuar”.
Me 11 gola, sulmuesi është jo vetëm shënuesi më i mirë i Granada këtë sezon, por edhe më i miri në histori, duke kaluar 10 golat e Carlos Fernandez në vitin 2020 dhe duke barazuar 11 rrjetat e Porte në 1973.
KOHA JONË SONDAZH

