Ylli i ri shqiptar në Gjermani: Më mirë futboll se festë me alkool

Është një nga lojtarët që po vlerësohet si ylli i së ardhmes për skuadrën e Schalke 04 në Gjermani. I gjatë 1 metër e 69 centimetër, luan në rolin e mesfushorit organizator dhe po i bën të gjithë për vete te Schalke 04. Quhet Jason Ceka dhe është shqiptar. Në një intervistë për Goal.com, ai sqaron jetesën, futbollin dhe ëndrrat e së ardhmes.

Ka një dyshim të madh në mendjen e tij, por gjithçka do të vendoset në bazë të ftesave që lëshojnë zyrat e federatave të futbollit, qoftë ajo e Shqipërisë apo ajo e Gjermanisë. Lojtari i ri në moshë sqaron gjithçka, që nga stërvitja e deri te gatimi në shtëpi.

“Shokët e ekipit më ndihmojnë shumë në stërvitje, madje dua të them se më ndihmojnë deri në ekstrem sepse e dinë atë që dua”, fillon të thotë Ceka në deklaratën e tij. “Sigurisht që e ndiej presionin, sepse kjo është relativisht normale, sepse secili prej nesh ka dëshirën për t’u bërë profesionist. Dhe, që të arrijë këtë, duhet të bëjë gjithçka për ta fituar. Nëse bashkëmoshatarët e mi në fundjavë mendojnë për të dalat dhe mbrëmjet festive apo alkoolin, unë nuk e njoh këtë pjesë, mendoj vetëm për ndeshjet”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Lojtari e ka mendjen tek e ardhmja dhe e ka zbuluar filozofinë e të qëndruarit në radhët e skuadrës gjermane. “Për zhvillimin tim, e rëndësishme është që të qëndroj sa më shumë te Schalke”, tha Ceka, i cili më tej përmend faktorin kryesor që e ndihmon atë që të rritet edhe profesionalisht. “Norbert Elgert është ai që formon karakteret tona, na ndihmon të rritemi dhe ne mësojmë shumë prej tij. Ai ka bagazh të madh rreth njohurive për futbollin, na ndihmon si në fushë dhe jashtë saj”.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Sidomos kur gjërat nuk shkojnë aq mirë, ai na flet privatisht dhe përpiqet të shpjegojë saktësisht se ku duhet të përmirësohemi. Është me të vërtetë diçka e veçantë kur trajnohesh nga ai”, shpjegon Ceka. “I kam borxh promovimin që më ka bërë te të rinjtë e Gjermanisë”, vijoi të thotë Ceka.

Më tej i pyetur rreth Shqipërisë, familjes dhe mundësisë për të përfaqësuar një fanellë kombëtareje në të ardhmen jo të largët, ai e nis nga gjella dhe gjuha që flet në shtëpi dhe e përfundon te mëdyshja që ka përzgjedhjen që do të bëjë “Ne flasim dhe gatuajmë shqip në shtëpinë tonë. Imagjinoj të luaj për Shqipërinë, por në momentin që Gjermania nuk do të jetë e interesuar për mua”.

Por, Ceka driblon në moment atë që tha më sipër, duke i lënë kohën të ardhmes: “Nuk ka kuptim që të planifikoj diçka të tillë tani, pasi nuk mund ta di se si zhvillimi im do të vazhdojë këtë sezon dhe vetëm atëherë do të jetë e qartë se çfarë drejtimi do të marr. Do të ishte një ëndërr për të financuar jetesën time me futbollin dhe ta ktheja hobin tim në karrierë”, përfundon i riu./E dua sportin/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?