Home Aktualitet Tragjedia me ...

Tragjedia me 3 viktima në Vilë Bashtovë, lirohet administratori i plazhit: Faji i bashkisë!

40
0

Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë për administratorin e plazhit në Vilë-Bashtovë, Pëllumb Nika.

Ky i fundit u arrestua, pas tragjedisë ku tre antarë të familjes Halilaj nga Tirana (Elvis Halilaj dhe dy djemtë e tij të mitur), humbën jetën teksa po laheshin në det.

Gjykata sot ka liruar administratorin e plazhit, duke caktuar masën “Arrest në shtëpi”.

Ndërkohë, para togave të zeza, Nika ia ka hedhur fajin bashkisë teksa ka thënë:

“Bovat nuk i vendosim ne, por e cakton bashkia Rrogozhinë hapësirën ujore që i përket çdo plazhi dhe thellësinë ku do të vendosen. Unë rrezikova jetën time dhe e kisha një flamur të kuq, por edhe 10 vrojtues të ishin nuk do bënin dot gjë. Nga ana njerëzore, kur pashë që nuk po futej njeri, ma dha Zoti dhe u futa me kajak, por u fundosa. Zonën ku vdiq i ndjeri dhe fëmijët e ka nën administrim bashkia. S’do të doja kurrë të ndodhte një gjë e tillë”, tha ai.

Si ndodhi tragjedia?

Babai Elvis Halilaj dhe dy djemtë e tij të mitur 13 dhe 17 vjeç, humbën jetën tragjikisht mesditën e së dielës në plazhin e Vilë-Bashtovës. Ata kishin udhëtuar nga Tirana për plazh në fundjavë, ndërsa nuk arritën të dalin dot nga deti për shkak të rrymave të forta detare.

Nga sa u raportua babai u fut në det që të shpëtonte dy djemtë e tij të mitur dhe ka mbetur edhe vetë i mbytur. Mësohet se i pari që është mbytur ka qenë djali i vogël, e më pas babai me djalin e madh.

Mungesa e rojës bregdetare është shkelje ligjore, gjë që solli edhe arrestimin e 34-vjeçarit Pëllumb Nika.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit