Ministri, Ferit Hoxha për “Albanian Post”: Qëndrimet e politikës së jashtme nuk komunikohen me WhatsApp
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi në lidhje me pretendimet rreth një komunikimi të brendshëm mbi shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, i cili u përdor nga kundërshtarë politikë për ta akuzuar publikisht për gjuhë fyese kundrejt tyre.
Në një intervistë për Albanian Post, Hoxha i ka cilësuar të mbyllura sqarimet institucionale për këtë çështje, duke theksuar se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dhënë tashmë qëndrimin e saj zyrtar.
Ministri nënvizon se bilanci i tij prej 35 vitesh në diplomaci është publik dhe i dokumentuar, duke e piketuar këtë si përgjigjen më të mirë ndaj çdo akuze që lidhet me integritetin e tij profesional.
“Kjo çështje është sqaruar tashmë nga ana e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme përmes një reagimi publik dhe nuk kam asgjë për të shtuar. Qëndrimet tona mbi politikën e jashtme nuk komunikohen as me SMS dhe as me WhatsApp. Ato bëhen përmes kanaleve zyrtare dhe transparente.
“Kushdo që dëshiron të njihet me pozicionet dhe qëndrimet që kam mbajtur gjatë karrierës sime diplomatike, e ka shumë të lehtë ta bëjë këtë, pasi gjithçka është publike dhe e dokumentuar. Bëhet fjalë për 35 vite kontribut të pandërprerë në shërbim të interesit kombëtar”, tha ministri.
Hoxha i cilëson shqiptarët në Maqedoninë e Veriut si faktor shtetformues dhe element kyç për stabilitetin dhe orientimin euroatlantik të vendit.
Ai thekson se respektimi i të drejtave të tyre, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin institucional, është një standard themelor demokratik dhe lidhet drejtpërdrejt me perspektivën evropiane të vendit.
Ministri bën thirrje për unitet të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për çështjet thelbësore, përtej ndarjeve politike.
“Sa i përket reagimeve të aktorëve politikë në Maqedoninë e Veriut ndaj qëndrimeve të tij, Hoxha shmang komentet publike, por fton për komunikim të drejtpërdrejtë institucional.
“Ne nuk kemi nevojë të komunikojmë me njëri-tjetrin përmes mediave apo mediave sociale. Jam tërësisht dhe gjithmonë i hapur për komunikim të drejtpërdrejtë institucional”, thotë ai.
Sipas tij, keqinterpretimet dhe emocionet politike të panevojshme nuk i shërbejnë askujt dhe duhen shmangur.
Hoxha ndalet edhe te klima e përgjithshme politike në Shqipëri, duke e përshkruar debatin publik si të mbingarkuar emocionalisht dhe të dominuar nga polarizimi ekstrem.
Sipas tij, kjo lidhet drejtpërdrejt me trashëgiminë e gjatë të tranzicionit postkomunist dhe me mungesën e një tradite të konsoliduar të dialogut demokratik.
“Shqipëria ka kaluar nga një sistem totalitar në një pluralizëm politik relativisht të ri, ku institucionet demokratike janë ende në proces konsolidimi. Në mungesë të një tradite të gjatë të dialogut demokratik, politika është zhvilluar dhe shpesh perceptohet më shumë si përballje mes palëve sesa si hapësirë për kompromis dhe ndërtim konsensusi. Një rol të rëndësishëm luajnë edhe mediat, por sidomos mediat sociale. Sfida nuk është vetëm të ulim tonin e debatit, por të rrisim cilësinë e tij”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

