Ministrja Sala: ”Mbretëresha Geraldinë”, model i ri i kujdesit të integruar për nënën dhe fëmijën
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala thotë se transformimi i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” përfaqëson një investim madhor në shërbim të nënave, foshnjave dhe familjeve shqiptare, duke e kthyer këtë institucion në një qendër moderne të kujdesit shëndetësor. Në fjalën e saj gjatë inaugurimit të ambienteve të reja, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, Sala kujtoi fjalët e Nënë Terezës se “gjërat më të mëdha ndërtohen përmes veprave të vogla, por me shumë dashuri, përkushtim dhe profesionalizëm”, duke theksuar se në këtë maternitet kjo thënie merr një kuptim të veçantë.
“Këtu lind jeta dhe këtu fillon kujdesi për nënën dhe fëmijën. Çdo shërbim ofrohet me profesionalizëm dhe përkushtim”, u shpreh Sala. Ajo solli edhe një përjetim personal, duke kujtuar se 33 vite më parë kishte sjellë në jetë djalin e saj pikërisht në këtë maternitet. “Sa herë rikthehem këtu, kujtoj kujdesin dhe profesionalizmin që kam gjetur ndër vite. Por transformimi i infrastrukturës dhe pajisjeve është i jashtëzakonshëm. Është si dita me natën”, tha Sala.
Sipas Salës, godina e re nuk përfaqëson vetëm një investim në infrastrukturë, por një model të ri të kujdesit të integruar për nënën dhe fëmijën. Ministrja Sala bëri të ditur se faza e parë e projektit është financuar me 560 milionë lekë për ndërtimin e godinës dhe 190 milionë lekë për pajisje të teknologjisë së lartë. Në përfundim, investimi i plotë do të arrijë në rreth 1,2 miliardë lekë, duke përfshirë rehabilitimin e të gjithë kompleksit, modernizimin e shërbimeve gjinekologjike dhe ngritjen e laboratorit të dytë publik të fertilizimit in vitro.
Falë këtij investimi, kapaciteti i shtretërve është rritur me 20%, ndërsa janë zgjeruar edhe kapacitetet diagnostikuese. Aktualisht materniteti disponon 240 shtretër dhe 9 salla moderne operatore, nga 6 që kishte më parë. Duke paraqitur bilancin e aktivitetit, Sala tha se vetëm gjatë vitit 2025 në këtë maternitet janë realizuar rreth 5400 lindje, mbi 1050 ndërhyrje gjinekologjike dhe janë trajtuar rreth 20 mijë raste urgjence.
Ministrja Sala theksoi se prioritet mbetet rritja e cilësisë së shërbimeve dhe integrimi i kujdesit neonatal. “Po ngremë laboratorin e ri të gjinekologjisë dhe shërbimin e kimioterapisë, ndërsa po punojmë edhe për krijimin e një qendre të depistimit të sëmundjeve metabolike”, deklaroi ajo. Sala njoftoi gjithashtu nisjen e projektit “Prizma”, i cili zbatohet në partneritet me qeverinë italiane dhe rajonin e Lombardisë. “Nëpërmjet këtij projekti do të modernizojmë të gjithë shërbimin neonatal, do të forcojmë kapacitetet profesionale dhe do të zgjerojmë depistimin për sëmundjet metabolike”, tha ministrja.
Duke folur për investimet në shkallë vendi, Sala bëri të ditur se vitet e fundit janë modernizuar maternitetet në Berat, Korçë, Gjirokastër, Kukës, Sarandë dhe Lezhë, ndërsa puna vijon në Fier dhe Shkodër. Ajo shtoi se në programin buxhetor afatmesëm është përfshirë edhe modernizimi i maternitetit të Pogradecit. “Ky është vizioni ynë për një sistem shëndetësor modern, me standarde bashkëkohore dhe shërbime cilësore për çdo nënë dhe çdo fëmijë në të gjithë vendin”, përfundoi Sala.
KOHA JONË SONDAZH

