QSUT i përgjegjet gazetarit Stafa: Publikimi nuk krijon përparësi për përfitimin e donacioneve
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” informoi sot se në zbatim të ligjit “Për të Drejtën e Informimit” publikon informacion mbi donacionet dhe nevojat e identifikuara nga shërbimet, në funksion të transparencës dhe llogaridhënies publike. Duke reaguar ndaj gazetarit Osman Stafa i cili ndau një dokument të publikuar në faqen zyrtare të QSUT-së për shpallje kërkese për donacion, QSUT sqaron se “ky publikim nuk krijon përparësi për përfitimin e donacioneve, por siguron një proces të hapur, të dokumentuar dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
“Publikimi i donacioneve nuk është çështje zgjedhjeje, por një detyrim ligjor që buron nga kuadri në fuqi për transparencën, të drejtën e informimit dhe administrimin e pasurisë publike”, thuhet në reagimin e QSUT-së. Në zbatim të ligjit “Për të drejtën e informimit”, Programit të Transparencës si dhe legjislacionit që rregullon administrimin e fondeve dhe pasurive publike, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” thekson se si institucion publik ka detyrimin të bëjë publik informacionin mbi veprimtarinë e saj, përfshirë edhe donacionet e përfituara.
Ky, sipas QSUT-së, është një standard i detyrueshëm i transparencës dhe llogaridhënies për të gjitha institucionet publike. QSUT sqaron se lista e donacioneve e publikuar është hartuar në kuadër të transparencës institucionale me shërbimet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bazuar në nevojat që ato kanë paraqitur pranë Drejtorisë së Përgjithshme përmes Drejtorisë së Inxhinierisë Klinike. “Publikimi i kësaj liste synon të sigurojë evidentimin, koordinimin dhe administrimin transparent të kërkesave të shërbimeve, në përputhje me procedurat institucionale dhe legjislacionin në fuqi”, nënvizon QSUT.
KOHA JONË SONDAZH
Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?
Results
Vota totale: 5439

