Spanja mund me spektakël Francën e yjeve dhe shkon në finalen e Botërorit
Spanja është finalistja e parë e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Francën me rezultatin 2-0 në gjysmëfinalen e zhvilluar në Arlington, Texas, duke siguruar rikthimin në finalen e një Botërori pas 16 vitesh.
Skuadra iberike dominoi takimin nga minuta e parë dhe kaloi në avantazh në minutën e 22-të. Lamine Yamal u pengua brenda zonës pas një ndërhyrjeje të gabuar të Lucas Digne, ndërsa arbitri akordoi menjëherë penallti. Nga pika e bardhë, Mikel Oyarzabal u tregua i saktë, duke mposhtur portierin Mike Maignan për 1-0.
Vështirësitë për Francën u shtuan në minutën e 29-të, kur mbrojtësi William Saliba u detyrua të largohej i dëmtuar, duke i lënë vendin Maxence Lacroix.
Në pjesën e dytë, Spanja vulosi fitoren. Në minutën e 58-të, pas një kombinimi të bukur mes Pedro Porro dhe Dani Olmo, ishte Porro ai që dërgoi topin në rrjetë, duke shënuar golin e dytë të tij me kombëtaren spanjolle në 23 paraqitje.
Franca nuk arriti të reagojë deri në fund të sfidës, ndërsa Spanja administroi me qetësi avantazhin dhe siguroi një fitore të merituar 2-0.
Me këtë sukses, Spanja rikthehet në finalen e Kupës së Botës për herë të parë që nga edicioni i vitit 2010, ndërsa Franca, finaliste në dy edicionet e fundit, e mbyll rrugëtimin e saj në gjysmëfinale.
Finalistja e dytë do të përcaktohet nga përballja mes Anglisë dhe Argjentinës, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e së mërkurës.


KOHA JONË SONDAZH

