Sidorela Vatnikaj: Edi Rama të hetohet si koka e një organizate kriminale
Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka mbajtur një fjalim të fortë në ditën e 47-të të protestës, ku ka kërkuar fundin e tranzicionit dhe hetim të thelluar për kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Aktivistja u shpreh se kreu i qeverisë nuk duhet të trajtohet thjesht si kryeministër nga organet e drejtësisë, por si udhëheqësi i një strukture të mirëfilltë kriminale.
“Ky shesh e ka treguar qartë qëndrimin e vet ndaj klasës së korruptuar politike 36-vjeçare. Kemi qenë këtu çdo ditë për të thënë se jemi këtu për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar me një klasë të vetme të korruptuar politike, që vetëm ka ndërruar anën, por asnjëherë nuk ka lëshuar pushtetin! Edi Rama të hetohet si koka e një organizate kriminale dhe jo si kryeministër i Shqipërisë!” deklaroi Vatnikaj përpara protestuesve.
Më tej, ajo u ndal te marrëdhënia e protestës me organet e reja të drejtësisë, duke theksuar se mbështetja e qytetarëve ndaj SPAK dhe GJKKO vjen gjithmonë me kërkesën për llogaridhënie maksimale dhe pa asnjë kompromis ndaj pushtetarëve të lartë.
“Kemi qenë dhe jemi në mbështetje të punës së SPAK dhe GJKKO, por jo me sy mbyllur, por me kërkesë: Hetoni Ramën, arrestoni Ballukun! Hetoni të gjithë të korruptuarit, ata që për 36 vite kanë futur duart në xhepat tanë”.
KOHA JONË SONDAZH

