Karakaçi: Strukturat e OST dhe OSSH në terren, po punohet për rikthimin e plotë të energjisë elektrike në Durrës pas zjarrit në një magazinë private
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka informuar përmes rrjeteve sociale mbi situatën e krijuar në qytetin e Durrësit, pas zjarrit të rënë në një objekt privat (magazinë) në afërsi të rrjetit 110 kV në zonën e Shkozetit. Sipas njoftimit, situata vijon të jetë e rënduar, ndërsa shërbimi zjarrfikës po punon për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit. Për arsye sigurie dhe me kërkesë të shërbimit zjarrfikës, njëra nga linjat 110 kV mbahet e stakuar deri në neutralizimin e plotë të rrezikut.
Ministri bën me dije se në orën 15:40, si pasojë e zjarrit, u stakuan linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin e Durrësit. Brigadat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST sh.a.) ndodhen në terren dhe janë të gatshme të ndërhyjnë për riparimin e defektit dhe dëmeve të shkaktuara në linjën 110 kV menjëherë pas shuarjes së plotë të zjarrit dhe krijimit të kushteve të sigurta për punë.
Ndërkohë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka marrë masa të menjëhershme për furnizimin e një pjese të zonave të prekura përmes linjave alternative (unazë). Si rezultat i këtyre manovrave, energjia elektrike është rikthyer pjesërisht në qytetin e Durrësit dhe ekipet po vijojnë punën për normalizimin e plotë të furnizimit. Situata mbetet sfiduese, pasi furnizimi përmes unazimeve nuk mund të mbahet për një kohë të gjatë për shkak të ngarkesave të larta në rrjet. Rivënia në punë e linjave 110 kV do të realizohet sapo zjarri të jetë shuar plotësisht dhe të garantohet siguria për ndërhyrjen e ekipeve teknike.
KOHA JONË SONDAZH

