Tërmet 7.7 ballë, prapë lëkundet toka!
Një tërmet i fuqishëm goditi pranë bregdetit të Indonezisë herët në mëngjesin e së shtunës (15.08.2026), duke shkaktuar të paktën pesë viktima, njoftuan autoritetet.
Raportet paraprake tregojnë për dy viktima në rajonin Sikka dhe tre në rajonin Manggarai.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), epiqendra e tërmetit me magnitudë 7.7 ndodhej pranë brigjeve të ishullit Flores, në një thellësi prej 10 kilometrash. Tërmetet e cekëta (deri në 70 kilometra thellësi) konsiderohen më të rrezikshme dhe më shkatërruese.
Valë cunami me lartësi më të vogël se 1 metër u regjistruan në disa zona të vendit para se paralajmërimi të tërhiqej rreth tri orë pas tërmetit.
Ku goditi tërmeti?
Agjencia Indoneziane për Meteorologji, Klimatologji dhe Gjeofizikë (BMKG) regjistroi tërmetin e parë në orën 04:58 të mëngjesit, në një thellësi prej 15 kilometrash, pasuar nga dhjetëra goditje pasuese.
Banorët dolën me nxitim nga shtëpitë e tyre për të kërkuar siguri ndërsa tërmeti godiste zonën.
Video të shpërndara në rrjetet sociale nga Maumere, qyteti kryesor i rajonit Sikka në ishullin Flores në lindje të Indonezisë, treguan shembjen e një pjese të një ndërtese mes reve të pluhurit dhe rrënojave, ndërsa njerëzit bërtisnin dhe vraponin në rrugë.
“Shumë ndërtesa këtu janë dëmtuar. Pashë që salla e pritjes në terminalin portual Pelni në Maumere ishte shembur”, tha për Associated Press Yohanna Embu, banore e rajonit Sikka në provincën Nusa Tenggara Lindore.
Banorët evakuohen, paralajmërimi për cunami shfuqizohet
Goditja e parë u pasua nga një seri pasgoditjesh në të njëjtën zonë, përfshirë një me magnitudë 6.1.
Turistët u evakuuan pasi hoteli i tyre pësoi dëme të rënda.
BMKG lëshoi një paralajmërim për cunami për pjesë të provincave Nusa Tenggara Lindore, Nusa Tenggara Perëndimore, Sulawesi Jugore dhe Sulawesi Juglindore, duke u kërkuar banorëve të qëndronin larg plazheve dhe brigjeve të lumenjve. Më vonë, paralajmërimi për cunami u hoq.
“E kemi tërhequr paralajmërimin për cunami, por do të vazhdojmë të monitorojmë nivelin e detit”, tha Wijayanto, drejtor për tërmetet dhe cunamet në BMKG.
Para se paralajmërimi të hiqej, banorëve të Maumere në ishullin Flores iu kërkua të zhvendoseshin në zona më të larta.

Televizioni shtetëror tregoi gjithashtu qindra njerëz duke u evakuuar në rajonin fqinj Nagekeo.
Pamjet nga televizionet lokale shfaqën një spital në distriktin Ende të provincës Nusa Tenggara Lindore duke nxjerrë pacientët jashtë ndërtesës si masë paraprake.
Pacientët dhe stafi mjekësor u evakuuan nga një qendër shëndetësore.
Autoritetet po vlerësojnë dëmet dhe numrin e viktimave
Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha dhe shembje ndërtesash, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në qytete dhe fshatra, duke vështirësuar ndjeshëm operacionet e shpëtimit.
“Po vazhdojmë të mbledhim raportet mbi dëmet dhe viktimat, por ka ndërprerje të komunikimeve”, tha shefi i policisë së Nusa Tenggarës Lindore, Rudi Darmoko.
Raportet e televizioneve lokale treguan se pacientët në disa spitale po evakuoheshin nga ndërtesat si masë sigurie.

“Studentët dhe murgeshat tona dolën me panik ndërsa çatia po shembej”, tha Guidelbertus Tanga, rektor i Seminarit Ritapiret në Flores. “Të paktën një prift pësoi thyerje të këmbës pasi u hodh nga kati i dytë i një ndërtese gjatë tërmetit.”
Gjithashtu u raportuan dëme edhe në disa zona të pjesës jugore të ishullit Sulawesi.
KOHA JONË SONDAZH



