Greqia lëshon alarm të kuq për zjarret dhe erërat e forta. Ikin turistët nga frika e zjarreve
Greqia do të jetë në gatishmëri të lartë për zjarret të dielën, ndërsa autoritetet kanë shpallur paralajmërim të kategorisë 4, që nënkupton rrezik shumë të lartë për shpërthimin dhe përhapjen e vatrave të zjarrit.
Në zonën e alarmit përfshihen Atika, ishulli Kythira, Viotia, Evia, Skyros, ishujt Cyclades dhe Kreta.
Paralajmërimi i Kodit të Kuq kërkon mobilizimin e plotë të personelit dhe mjeteve të emergjencës. Autoritetet lokale dhe rajonale janë udhëzuar të aktivizojnë strukturat e koordinimit dhe të jenë të përgatitura për ndërhyrje të menjëhershme në rast zjarresh në pyje.
Situata bëhet më shqetësuese për shkak të kombinimit të temperaturave të larta, thatësirës dhe erërave të forta.
Shërbimi meteorologjik grek parashikon kryesisht mot të kthjellët, ndërsa në Egje erërat veriore pritet të arrijnë fuqinë 6-7 ballë të shkallës Beaufort. Në disa zona të Greqisë lindore ato mund të jenë edhe më të forta, përpara se të dobësohen gjatë pjesës së dytë të së dielës.
Temperaturat pritet të arrijnë 32-34 gradë Celsius në pjesën më të madhe të Greqisë dhe deri në 35 gradë në disa zona kontinentale dhe në Dodekanez. Në Atikë temperaturat maksimale parashikohen në 32-33 gradë Celsius.
Erërat e forta pritet të vazhdojnë edhe të hënën, veçanërisht në Egje, ndërsa temperaturat nuk do të pësojnë ndryshime të ndjeshme. Në zonat malore nuk përjashtohen reshje të shpërndara dhe stuhi të izoluara.
Autoritetet greke u kanë bërë thirrje banorëve dhe turistëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarr.
Kushtet e nxehta dhe të thata, të kombinuara me erërat e forta, mund të favorizojnë përhapjen shumë të shpejtë të flakëve në rast të krijimit të vatrave të reja.
KOHA JONË SONDAZH

