Vjedhja e 100 mijë eurove/Mos beso verbërisht asaj që sheh me sytë e tu në ekran. Inteligjenca artificiale ka ndryshuar edhe krimin
Rasti i fundit në Tiranë, ku sipas Policisë një 70-vjeçar që ushtronte aktivitet këmbimi valutor u mashtrua duke dorëzuar 100 mijë euro, nuk duhet parë thjesht si një episod i kronikës së zezë.
Është një alarm. Grupi kriminal kishte aplikuar me intelegjencë artificiale një program me zë e figurë sikur të ishte fiks personi i duhur dhe i besuar i burrit të pika e konvertimit të valutës dhe ai e ka besuar.
Mashtrimi po bëhet gjithnjë e më shumë mënyrë pune për grupet kriminale, ndërsa teknologjia dhe inteligjenca artificiale po u japin atyre mjete që deri dje dukeshin vetëm si skenar filmash.
Në rastin e Tiranës, viktima besohet se ka parë në telefon një video që i krijonte përshtypjen se po komunikonte me një biznesmen që njihte. Besimi te personi që shfaqej në ekran duket se ka qenë çelësi që e bindi të dorëzonte shumën e madhe të parave.
Deri dje këshilla ishte: “Mos i beso një mesazhi”. Pastaj: “Mos i beso një telefonate”. Sot duhet të shtojmë edhe një paralajmërim tjetër: Mos i beso verbërisht as asaj që sheh me sytë e tu në ekran.
Inteligjenca artificiale ka ndryshuar edhe krimin
Inteligjenca artificiale është një revolucion teknologjik, por si çdo teknologji mund të përdoret edhe nga krimi. Sot mund të imitohet fytyra e një personi, zëri i tij, mënyra se si flet dhe madje të krijohet përshtypja e një bisede reale në video. Kjo e çon mashtrimin në një nivel tjetër. Krimineli nuk ka më nevojë vetëm të bindë viktimën se “jam filani”. Mund t’i krijojë asaj përshtypjen se po e sheh filanin përballë.
Europol paralajmëron se skemat e mashtrimit online janë ndër fushat me rritjen më të shpejtë të krimit të organizuar dhe se inteligjenca artificiale gjenerative po përdoret për ta bërë manipulimin social më të personalizuar dhe më bindës. Raporti IOCTA 2026 thekson se AI po rrit shkallën dhe efikasitetin e mashtrimeve online. Pra ajo që ndodhi në Tiranë nuk është thjesht një histori shqiptare.
Është pjesë e një fenomeni që po shqetëson gjithë Europën.
Krimi po bëhet biznes
Ka ndryshuar edhe struktura e mashtrimit. Nuk kemi më domosdoshmërisht një person të vetëm që telefonon një të moshuar dhe përpiqet t’i marrë disa para. Gjithnjë e më shumë kemi organizim. Dikush siguron të dhënat. Dikush krijon profilin e rremë. Dikush prodhon videon ose zërin. Dikush komunikon me viktimën. Dikush tjetër paraqitet për të marrë paratë. Dhe në fund dikush merret me fshehjen apo transferimin e tyre.
Europol i përshkruan disa prej këtyre rrjeteve si struktura që funksionojnë pothuajse si biznese, me ndarje rolesh dhe përdorim të teknologjisë për të vepruar në shkallë të gjerë. Vetëm në prill 2026, një operacion i përbashkët shqiptaro-austriak goditi një rrjet call-center-ash në Tiranë, të dyshuar për një skemë mashtrimi online me dëm të paktën 50 milionë euro.
Kjo tregon diçka të rëndësishme: Mashtrimi nuk është më krim i vogël. Në disa raste po bëhet industri.
Bizneset duhet të ndryshojnë menjëherë rregullat
Rasti i 100 mijë eurove duhet të shërbejë sidomos si paralajmërim për exchange-et, bankat, bizneset, zyrat financiare dhe çdo subjekt ku mund të lëvizin shuma të konsiderueshme. Nuk mund të mjaftojë më një telefonatë. Nuk duhet të mjaftojë as një video-call. Për çdo kërkesë të pazakontë për para duhet të ketë verifikim të dytë dhe të pavarur. Nëse dikush që njihni ju kërkon 50 mijë apo 100 mijë euro përmes telefonit, mbylleni komunikimin dhe telefonojeni vetë në numrin që keni përdorur gjithmonë. Për shuma të mëdha duhet të ketë procedura të shkruara.
Dy persona që autorizojnë pagesën. Konfirmim bankar. Kod sigurie të paracaktuar. Kontakt të drejtpërdrejtë. Sepse sot falsifikimi mund të jetë aq bindës sa intuita njerëzore nuk mjafton.
Të moshuarit janë veçanërisht të ekspozuar
Edhe familjet duhet të tregojnë shumë më tepër kujdes. Kriminelët luajnë me emocionin: një fëmijë që gjoja është në hall, një i afërm që ka pësuar aksident, një mik që kërkon urgjentisht para, një biznesmen që kërkon likuiditet për disa orë. Urgjenca është pjesë e mashtrimit. Viktimës nuk i lihet kohë të mendojë. Prandaj duhet krijuar një rregull i thjeshtë familjar: Kur dikush kërkon para me urgjencë, mos paguaj pa verifikuar në një mënyrë të dytë.
Edhe kur e dëgjon zërin. Edhe kur e sheh fytyrën. Edhe kur personi duket 100 për qind real.
Edhe Policia duhet të ndryshojë mënyrën e parandalimit
Kapja e autorëve është shumë e rëndësishme, por nuk mjafton. Institucionet duhet të fillojnë një fushatë të fortë publike për mashtrimet me inteligjencë artificiale. Në televizione. Në banka.
Në exchange. Në telefoninë celulare. Në rrjetet sociale. Qytetarët duhet të mësojnë se deepfake nuk është më teknologji e së ardhmes. Është këtu dhe mund të përdoret sot kundër tyre.
Europol paralajmëron se manipulimi i identitetit telefonik, imitimi i personave të besuar dhe format e tjera të social engineering po shkaktojnë dëme të mëdha financiare, ndërsa rrjetet kriminale po veprojnë gjithnjë e më shumë përtej kufijve kombëtarë.
Beso, por verifiko. Dhe kur bëhet fjalë për para, verifiko dy herë.
Rasti i Tiranës duhet të na bëjë të kuptojmë se mashtruesit nuk po përdorin më vetëm gënjeshtrën. Po përdorin teknologjinë për ta bërë gënjeshtrën të duket si e vërtetë. Dhe ky është rreziku i madh.
Krimi po ecën shpejt. Policia duhet të ecë më shpejt. Bankat dhe bizneset duhet të ndryshojnë procedurat. Por mbi të gjitha duhet të ndryshojmë edhe ne. Sepse në epokën e inteligjencës artificiale, kujdesi nuk është më thjesht këshillë. Është mbrojtje e pasurisë sonë.
Njoftimi i Policisë për mashtrimin me 100 mijë euro:
DVP Tiranë/Finalizohen gjatë 24 orëve të fundit, 2 operacione kundër krimeve ekonomike për zbardhen e raste me pasoja në fushën e mashtrimit dhe të vjedhjes.
Në njërin prej rasteve, autorët kanë mashtruar një shtetas duke përdorur inteligjencën artificiale, gjatë komunikimit.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, si dhe nga shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2, pas kallëzimeve të disa qytetarëve për raste mashtrimi dhe/ose vjedhjeje në subjektet e tyre, u finalizuan, në 24 orë, 2 operacione për zbardhjen e këtyre krimeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale. Konkretisht:
-Në kuadër të operacionit të koduar “Shuma”, u arrestuan shtetasit B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. H., 31 vjeç.
Këta shtetas, duke përdorur inteligjencën artificiale dhe duke iu prezantuar një 70-vjeçari, përmes mesazheve, si të njohur të tij, e kanë mashtruar 70-vjeçarin që ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave dhe i kanë marrë 100 000 euro me justifikimin se do t’ia kthenin pas disa orësh. 70 vjeçari, pasi nuk ka marrë shumën e dhënë në orën e premtuar, ka njoftuar menjëherë Policinë.
Operacioni vijon për kapjen e shtetasit R. H., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasit që ka shkuar te subjekti i 70-vjeçarit dhe ka marrë shumën e eurove, si dhe të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
-Në kuadër të operacionit të koduar “Imazhi”, u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim, G. B., 37 vjeç, i cili dyshohet se:
-më datë 14.08.2026, ka marrë 20 000 lekë, në 2 biznese, në rrugët “Brigada VIII” dhe “Teodor Keko”, duke mashtruar punonjësit se ishte i njohur i pronarëve të subjekteve dhe se do t’ua kthente paratë menjëherë, ndërsa më datë 21.08.2026, ka vjedhur një çantë me 25 000 lekë brenda, në një subjekt në rrugën “Skënder Luarasi”.
Vijon hetimi për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht veprimtaritë kriminale të 37-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët dhe administratorët e subjekteve që të tregojnë vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj rasteve të mashtrimit, si dhe që në asnjë rast të mos japin para ose të dhëna shtetasve të paverifikuar që i kontaktojnë në mënyra të ndryshme përfshi dhe videot e krijuara me inteligjencë artificiale.
Gjithashtu, Policia e Shtetit fton për denoncim të menjëhershëm të çdo dyshimi, personi të dyshuar, indicieje apo rasti kur bien pre e veprave penale në këtë fushë, pasi vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të shpejtë dhe të ngushtë mundësohet identifikimi dhe kapja e autorëve, si dhe mbrojtja e pronës dhe pasurisë së qytetarëve.
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?
Results
Vota totale: 5030

