Tensione në Elbasan për Reformën Territoriale, deputeti Alizoti kritikon socialistët: Një turp
Konsultimi publik i nisur nga Bashkia e Elbasanit për reformën e re administrative-territoriale është shoqëruar me debate dhe kundërshtime nga opozita. Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, e konsideroi të pamjaftueshme dëgjesën publike, duke argumentuar se një reformë e kësaj rëndësie duhet të diskutohet gjerësisht me qytetarët.
“Kjo vetëm dëgjesë publike nuk ishte”, deklaroi Alizoti, duke kritikuar mënyrën e organizimit të procesit të konsultimit. Sipas tij, reforma territoriale është një prej reformave më të rëndësishme për vendin dhe qytetarët duhet të kenë një rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrje.
“Reforma territoriale është reforma më e rëndësishme për një vend, se njerëzit jetojnë në territore dhe të bësh një reformë të tillë duhet t’i pyesësh njerëzit, duhet të mbash një referendum”, u shpreh ai. Në projekt-draftin e reformës parashikohet që Bashkisë së Elbasanit t’i bashkohen bashkitë e Cërrikut dhe Belshit. Ky propozim është kundërshtuar edhe më herët nga banorë të këtyre zonave.
Alizoti e lidhi kundërshtimin edhe me çështjen e decentralizimit të pushtetit, duke theksuar se ndarja e pushteteve është një element bazë i demokracisë. “Demokracia ku ne duam të shkojmë, Bashkimi Europian, ka një element thelbësor që quhet demokraci, që është decentralizimi i pushtetit, është ndarja e pushteteve”, tha ai.
Alizoti akuzoi qeverisjen vendore dhe atë qendrore për mungesë demokracie në procesin e konsultimit, duke përdorur edhe tone të ashpra ndaj drejtuesve socialistë. “Kur pushteti shkon në një dorë, atëherë kemi autokraci. Ne duam të ikim në demokraci, që është ndarja e pushteteve”, deklaroi Alizoti. Ai e mbylli reagimin duke bërë thirrje për mobilizim politik dhe qytetar kundër asaj që e cilësoi si përkeqësim të situatës në vend. “Nëse ne si shqiptarë edhe si Parti Demokratike nuk çohemi, nuk mobilizohemi, Shqipëria do bëhet keq e më keq”, u shpreh ai.
KOHA JONË SONDAZH

