Tirana nuk mund të qeveriset nga qelia! Ndaj lironi Erion Veliajn të shkojë në Bashki!
-Nga KOHA JONË-
Tirana ka hyrë në një situatë që nuk është më vetëm paradoks juridik. Është kthyer në një problem serioz institucional dhe qytetar. Erion Veliaj ndodhet në qeli, ndërsa juridikisht vazhdon të jetë Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Gjykata Kushtetuese rrëzoi shkarkimin e tij dhe mandati i tij vijon. Nga ana tjetër, Veliaj ka tërhequr delegimin e kompetencave që i kishte dhënë nënkryetares Anuela Ristani për drejtimin e Bashkisë. Pra Ristani mbetet nënkryetare, por nuk ushtron më kompetencat e deleguara të kryetarit.
Dhe këtu lind absurdi i madh: Tirana ka kryetar, por kryetari është në burg. Ka administratë, por drejtuesi i zgjedhur nuk mund ta ushtrojë normalisht funksionin.
Ligji ia njeh kryetarit të bashkisë një rol shumë të gjerë ekzekutiv: ai ushtron kompetencat e bashkisë që nuk i takojnë Këshillit Bashkiak, zbaton vendimet e këshillit, drejton administratën, emëron dhe shkarkon drejtues, miraton strukturën dhe përfaqëson bashkinë në marrëdhëniet me të tretët. Pra nuk po flasim për një zyrë që mund të mbyllet për disa muaj pa pasoja.
Po flasim për Tiranën. Për transportin. Për shkollat dhe çerdhet. Për investimet. Për shërbimet sociale. Për ndihmën ekonomike. Për administratën. Për kontratat. Për buxhetin. Për mijëra vendimmarrje që prekin çdo ditë jetën e kryeqytetit. Drejtësia duhet të bëjë punën e saj dhe askush nuk duhet ta pengojë. Por paraburgimi nuk është dënim. Dhe një masë sigurie nuk mund të shndërrohet faktikisht në një dënim edhe për qytetarët e Tiranës.
Madje vetë debati kushtetues për masën e arrestit ka ngritur pikërisht problemin e proporcionalitetit mes privimit të lirisë dhe pamundësimit të ushtrimit të mandatit të fituar me votë. Gjykata Kushtetuese e riktheu çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë për problematikat e arsyetimit, ndërsa në mendimin paralel disa gjyqtarë kushtetues shkuan edhe më tej, duke e konsideruar vazhdimin e arrestit joproporcional pikërisht për shkak të pamundësimit të ushtrimit të mandatit.
Kjo është nyja që drejtësia nuk mund ta shmangë më. Shteti shqiptar nuk mund të thotë njëkohësisht se Erion Veliaj është Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ta mbajë atë në kushte ku praktikisht nuk mund të jetë kryetar.
Këto dy realitete po përplasen dhe faturën nuk duhet ta paguajë Tirana. Zgjidhja më racionale është që organet e drejtësisë të rivlerësojnë menjëherë domosdoshmërinë e arrestit në burg. SPAK mund të vazhdojë akuzën dhe procesin, ndërsa gjykata mund të shqyrtojë një masë sigurie që garanton procesin penal pa paralizuar ushtrimin e mandatit publik. Pra ai të shkojë në Bashki.
Veliaj mund të hetohet dhe gjykohet i lirë. Lirimi nga qelia nuk do të thotë pafajësi. As që procesi penal ndalet. Do të thotë vetëm që drejtësia vazhdon punën e saj pa marrë peng funksionimin e kryeqytetit.
Në fund, çështja nuk është më vetëm Erion Veliaj. Çështja është Tirana.
Dhe kur një konflikt mes masës së sigurisë dhe mandatit kushtetues arrin deri aty sa të krijojë paqartësi për drejtimin efektiv të bashkisë më të madhe të vendit, institucionet kanë detyrimin të gjejnë zgjidhje. Drejtësia duhet të bëjë drejtësi me Veliajn. Por nuk ka të drejtë që, bashkë me Veliajn, të fusë në qeli edhe funksionimin e Tiranës.
Tirana nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga një qeli.
Erion Veliaj të shkojë në zyrë dhe të administrojë qytetin që është paralizuar. Në fund të procesit gjyqësor nëse Veliaj shpallet i fajshëm futeni shtatë pashë nën dhe!
KOHA JONË SONDAZH

