Edhe një tentim për konstituim të parlamentit të Kosovës, PDK-ja s’merr pjesë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur të dielën se nuk do të marrë më pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës, pasi ka vendosur ta çojë çështjen e konstituimit të legjislaturës në Gjykatën Kushtetuese.

Në një komunikatë, PDK-ja tha se ekspertët e saj janë duke përgatitur rastin që do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për “procesin në tërësi”.

Deri në vendimin e kësaj gjykate, PDK-ja tha se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit dhe ka tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për postin e nënkryetares.

Swiss Digital Desktop Reklama

Vendimi i PDK-së vjen një ditë pasi Lëvizja Vetëvendosje ndryshoi qëndrimin lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, duke vendosur të votojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë, pasi më herët kishte refuzuar t’i mbështeste ata.

Swiss Digital Mobile Reklama

Deputetë të LVV-së, teksa hynin në Kuvend për seancën e sotshme, kanë insistuar se qëndrimin e kanë ndryshuar vetëm që të zhbllokohet procesi i konstituimit, që të shmangen zgjedhje të katërta parlamentare brenda dy vjetëve.

Por, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, dhe një deputet i LDK-së, Ermal Sadiku, e kanë interpretuar këtë vendim si pjesë të një skenari që, sipas tyre, çon drejt zgjedhjeve të reja më 27 dhjetor.

Nëse sot do të ishte konstituuar Kuvendi, atëherë do të niste afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, deri më 13 nëntor. Nëse deputetët nuk do të arrinin të zgjedhin një president të ri, atëherë duhet të shpallen zgjedhjet brenda 45 ditëve.

“60 ditë plus 45 ditë na çojnë pikërisht te 27 dhjetori. Pra, krejt ky bllokim, krejt këto lojëra me Kuvendin, krejt kjo zvarritje veç për të mbërritur te data që e kanë planifikuar”, ka shkruar Sadiku.

Zgjedhjet më 27 dhjetor do të binin në periudhën e festave të fundvitit, kur një pjesë e madhe e diasporës së Kosovës kthehet në vend.

Kjo e bën datën politikisht të rëndësishme, veçanërisht për LVV-në, e cila në zgjedhjet e fundit ka marrë një përqindje më të lartë të mbështetjes nga votuesit jashtë Kosovës sesa në mesin e votuesve rezidentë.

Në zgjedhjet e qershorit 2026, LVV-ja kishte fituar rreth 73 për qind të votave me postë, 83 për qind të votave në përfaqësi diplomatike. Ndërsa, nga votat e qytetarëve rezident kishte marrë rreth 43 për qind.

Seanca e sotshme do të vazhdojë në orën 10:00, ndërsa zgjedhja e nënkryetarëve është pika që ka mbetur për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit.

Të premten, Kuvendi arriti të zgjedhë vetëm nënkryetarin nga radhët e LVV-së, Ardian Gola. Kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk mori votat e nevojshme.

Haxhiu e shtyn për të dielën seancën konstituive mes mosmarrëveshjeve për nënkryetarët

Pas dështimit të votimit të Çitakut, PDK-ja kishte thënë se nuk do të merrte më pjesë në vazhdimin e seancës konstituive dhe se çështjen do ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese.

Atë ditë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tentoi të vazhdonte me zgjedhjen e kandidatit të LDK-së. Deputetët e kësaj partie kundërshtuan, duke kërkuar që fillimisht të votohej kandidati i PDK-së, si partia e dytë më e madhe parlamentare.

PDK-ja dhe LDK-ja e lëshuan sallën, ndërsa seanca u ndërpre dhe u caktua të vazhdojë të dielën. Aleanca nuk kishte marrë fare pjesë në seancë.

Këto zhvillime bëhen pjesë e një bllokade politike që nisi pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 7 qershor.

LVV-ja doli e para duke fituar 53 ulëse. Ajo thotë se ka mbështetjen e nëntë deputetëve nga minoritetet – tetë nga pakicat jo serbe, me përjashtim të Adem Hoxhës nga Partia Unike Gorane dhe Duda Bales nga Bashkimi Socialdemokrat, dhe Nenad Rashiqin, si i vetmi deputet i pakicës serbe që s’është pjesë e Listës Serbe.

Kështu ajo ka 62 vota, një më shumë se që i nevojitet për ta formuar qeverinë. Megjithatë, këto vota nuk janë të mjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Marrëveshja për presidentin: Konsensus me shumë pikëpyetje

Për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para nevojiten 80 vota, çka kërkon edhe mbështetjen e deputetëve të partive të tjera.

Për javë të tëra, përplasja kryesore ishte rreth konstituimit të Kuvendit, pasi që LVV-ja insistonte se nuk duhet të konstituohet Kuvendi para se të arrihej një marrëveshje për postin e presidentit.

Më 31 gusht, negociatat mes LVV-së dhe LDK-së përfunduan me zyrtarimin se dy partitë do ta mbështesin kandidaturën e përbashkët të Bekim Sejdiut për president.

Kjo kandidaturë ka nxitur përplasje të thella brenda LDK-së, pasi gjashtë nga 18 deputetët e partisë kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin./REL/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?