Home Editorial A do kthehet ...

A do kthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak?

1983
0

(Ky editorial shikohet më i plotë si video ndaj kliko)

Rritja e tensioneve mes dy supërfuqive botërore, SHBA dhe Rusisë, lufta në Ukrainë, lufta në Gaza, pushtimi i mundshëm i Tajvanit nga Kina apo mundësia e konfliktit ushtarak në çdo kohë mes Kosovës dhe Serbisë ka sjellë edhe rritjen e financimeve për ushtrinë shqiptare.

Po blihen dronë, helikopterë ushtarakë, makina për ushtrinë etj. ndërkohë sot u inagurua edhe baza e NATO-s në Kuçovë, ku ishin presidenti, kryeministri, kryeparlamentarja dhe një numër zyrtaresh të lartë, çka tregon për rëndësinë e kësaj baze të NATO-s në Shqipëri.

Bota në vitet e fundit vetëm po armatoset me vrull të pandalshëm. Edhe Gjermania, e cila njihej si e paangazhuar për armatime, muajt e fundit ka vendosur të shtojë disafish buxhetin për ushtrinë dhe modernizimin e saj.

Shtete si Suedia, Finlanda, apo të gjitha ato që janë në brezin e parë të kufirit me Rusinë po shtojnë armatimet.

Me shumë euro për ushtrinë se sa për popullsinë!

Bota po vrapon pas armëve dhe kjo e rrit rrezikun e shpërthimit në çdo kohë.

Kina është rritur frikshëm, duke konkuruar SHBA dhe me synime ekspansioniste të hapura.

India, Irani dhe Izraeli kanë shtuar në maksimum buxhetet e tyre të luftës.

Ndërkohë në Shqipëri po qarkullon se duhet të rikthehet me ligj shërbimi i detyrueshëm ushtarak për moshën rinore, sikurse edhe ligji i detyrueshëm për rezervistët në rast lufte.

Disa shtete në Europë po e kthejnë me ligj.

Eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa tha sot se jemi të vonuar si shtet në rikthimin e ushtrisë, sic quhej dikur. Eksperti shtoi se duhet që qeveria shqiptare ti dërgojë parlamentit ligjin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por jo me afate të gjata qëndrimi në ushtri të të rinjve.

Faktet se shtetet po armatosen fuqishëm tregon se po shkohet drejt një lufte, e cila mund të jetë rajonale sipas zonave të interesit të supërfuqive ose edhe luftë globale, e cila do të jetë shkatërruese, nëse kalon në luftë atomike.

Po kështu eksperti i sigurisë tha se duhet që qeveria të fillojë pastrimin dhe sistemimin e bunkierëve të kohës së Enver Hoxhës por edhe rritjen e buxhetit për ushtrinë. Shqipëria është anëtar i NATO-s, por në rast lufte masive, sejcili shtet shikon hallet e tij për popullsinë e vetë dhe nuk impenjohet shumë për të tjerët, shtoi eksperti i Sigurisë.

Ndërkohë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas inagurimit të bazës së NATO-s në Kuçovë, kërkoi që të firmoset një Pakt Kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë si shtete për mbrojtjen e territorëve.

Nga ana e saj Serbia ka modernizuar dhe shtuar në numër katastrofik armatimin, duke blerë nga Kina dhe Rusia.

Ndaj me sa duket ka ardhur koha, sipas burimeve nga ekspertët e ushtrisë dhe sigurisë, që të vendoset me detyrim ushtria, ose siç quhet shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

Jemi në epokë digjitale por edhe në kohën e armatimëve të frikshme botërore.

Dikur, kur pyetën një shkencëtar se si e parashikon luftën e tretë botërore, ai u përgjigj: Unë di se si do të jetë lufta e katërt botërore nëse bëhet e treta. Lufta e katërt botërore do të jetë me shpata dhe shkopinjë!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit