5 mijë raste për 5 ditë, situatë alarmante nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut, nga e hëna deri të premten, sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve të shëndetësisë, janë regjistruar 5,091 raste të reja me Covid-19 dhe 92 viktima.
Në total, rastet e infektimeve janë 37,499, prej të cilëve 13,568 janë aktive, kurse numri i personave që kanë humbur betejën me Covid shkon në 1,096. Përveç shkallës së lartë të rasteve pozitive që rezultojnë nga testimet, shqetësuese paraqitet edhe mungesa e kapaciteteve spitalore për të trajtuar pacientët me Covid.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në mëngjes ka takuar drejtues të disa klinikave të Shkupit që janë pjesë e personelit mjekësor në klinikat interne, ku njoftoi se prej sot vihen në dispozicion 150 shtretër për të mjekuar covid-pacientët. Aktualisht nëpër covid-spitalet trajtohen 895 pacientë.
Opozita në Maqedoninë e Veriut, kërkon krijimin e një qeverie të ekspertëve me profesionistë të fushës, që do ta menaxhonte situatën e rënduar me Covid-19. Ata kërkojnë përgjegjësi dhe dorëheqje nga Ministri Filipçe.
Që nga fillimi i valës së vjeshtës janë mbi 17 mijë të infektuar në Maqedoninë e Veriut, kurse numri i rasteve aktive është rritur mbi 10 mijë. Krahas shifrave shqetësuese dhe presionit mbi spitalet e vendit, autoritetet nuk kanë rekomanduar masa të reja restrictive, duke bërë thirrje që të zbatohen ato që janë me fuqi.
KOHA JONË SONDAZH

