Aksident në autostradë, autobusi me pasagjerë përplaset me trafik ndarësen
Një aksident automobilistik ka ndodhur paraditen e sotme në autostradën Tiranë-Durrës. Autobusi i pasagjerëve është përplasur me trafik ndarësen, por fatmirësisht pa persona të lënduar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 pranë Sukthit.
Në pamjet e siguruara për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodjana Haxhiaj, duket se autobusi ndodhej në korsinë e shpejtësisë, në krahun ku edhe është përplasur me trafik ndarësen.
Nga aksidenti janë shënuar vetëm dëme materiale, ndërsa pasagjerët e autobusit janë transportuar drejt destinacioneve të tyre, me mjete të tjera.
Sakaq, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe po punohet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

