Braimllari i përgjigjet deputetit të PS: Inatin me tepsinë e PS mos e nxirr te LSI
Deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu në një koment Facebook kritikoi qeverinë e Ramës. Pas jehonës së fortë në media për një socialist që del kundër qeverisë, Ndreu ka sqaruar se nuk e kishte fjalën për PS, por për LSI.
“Meqenese, disa media e individe e kane te veshtire perkthimin shqip-shqip, ju sqaroj qe statusi i meparshem per tepsine, ka te beje me falangat e LSI, pa shkolle e pa asnje kualifikim qe vegjetojne ne detyre ne qeverisjen tone akoma sot e kesaj dite. Ndersa vjellin vrere e pengojne zhvillimin e ketij vendi. Nje kritike kjo ndaj qeverise , por qe nuk do te thote qe ne teresi qendrimi im eshte kunder e nuk mbeshtes qeverine Rama ! Perkundrazi, statusi eshte nje kembane alarmi qe vjen nga poshte e duhet te degjohet me mire per permiresimin e qeverisjes se vendit”, shkruan Pjerin Ndreu.
Pas komentit të dytë ka ardhur dhe reagim i Sekretarit të Përgjithshëm të LSI, Endrit Braimllari. Në mënyrë miqësore ai i drejtohet deputetit socialist që inatin që ka me Edi Ramën të mos e nxjerrë kundër njerëzve të LSI.
“I dashur Pjerin,
Inatin që ke me tepsinë e Edi Ramës nuk të ndihmon të shfrysh mllefin tënd tek njerëzit e LSI-së.
Janë të shumtë njerëzit që LSI iu ka dhënë shansin, dhe nuk ka parë bindje politike por është bazuar në vlerat që ata mbartin dhe në respekt të ligjit, kjo edhe për shumë socialistë të ndershëm që nuk iu hapeshin dyert.
Po të përmend vetëm disa emra që LSI iu dha shansin e që jo vetëm janë të mirë diplomuar jashtë vendit, por janë edhe vlerë për administratën publike.
Kristlen Keri, Znj. Daniela Cekani, Znj. Blerina Ago, Znj. Lindita Sotiri, Eldorado Kice, Aurel Lamçe, etj.
Edhe bashkëshortes tënde LSI i dha shansin për të qenë shefe e financës në Ministrinë e Integrimit kur PS i mbyllte derën se ishte bashkëshortja jote dhe unë mendoj që ajo e meritonte.
Nëse të duhet më tepër informacion, si Sekretar i Përgjithshëm i LSI kam dijeni për të gjithë ata që LSI iu dha shansin, por edhe të atyre mijëra nëpunësve që PS i hodhi në rrugë duke shkelur rëndë ligjin e nëpunësit civil dhe i ka zëvendësuar me familjarë të familjeve mafioze.
Përsëri, kjo nuk ndryshon respektin që kam për ty.
Të përshendes,
Endriti” ”,- shkruan Endrit Braimllari

