Çizmja e Kryemadhit, Kulluri: Unë do ta qëlloja me karrige Ramën
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri i ftuar në studion e Report Tv përpos situatës politike dhe protestës së opozitës komentoi sulmin e Kryemadhit ndaj Ramës me çizme në parlament në seancën e zgjedhjes së Kryeprokurores Arta Marku.
Edvin Kulluri tha se nëse do të ishte në parlament në atë moment do ta qëllonte kryeministrin me karrige. “Po të isha vetë do ta qëlloja me karrige Ramën” tha ai.

Situata ne PD
Kulluri, ka hedhur akuza të forta ndaj kreut demokrat, Lulzim Basha, duke e quajtur atë të paaftë në drejtimin e partisë. Kulluri fajësoi direkt dhe vetëm Bashën për gjendjen në të cilën ndodhet partia më e madhe opozitare në vend, PD, teksa deklaroi se ai nuk ka çuar asgjë deri në fund. “Basha nuk ka çuar asgjë deri në fund”, tha Kulluri.
Ka marrëveshje të heshtura apo është i papërgatitur?
Nuk e di. Fakti është që, mbase është i paaftë ta bëjë. Zotëria nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për humbje, apo për të përmirësuar situatën në parti. Ka 6 muaj nuk merr asnjë angazhim. Do të bashkojë opozitën, ku e ka bashkuar, ai s’ka bashkuar akoma partinë e tij. Fajtor për gjendjen e PD është vetëm Basha, bën vetëm konferenca shtypi.
Ne vijim, ai deklaroi se opozita sot është e përçarë, ndërsa Basha po sillet si një princ i vogël që i merr vendimet të gjitha vetë pa u konsultuar me askënd. Duke u ndalur te protesta, ai tha se degët janë të çorientuara, ndërsa sjelljen e Bashës e cilëson si tallje duke parashikuar se do të ketë shumë vështirësi që njerëzit t’i besojnë.
“A ngjall shpresë kjo opozitë? PD sot është e përçarë. Ka tetë muaj që PD është në këto kushte, shkaqe janë; cështja e përfaqësimit, listat, mungesa e programit, humbja, mos mbajtja e përgjegjësive. Për ne është shumë keq ky menaxhim i partisë.
Kushtet janë përkeqësuar. Janë humbur 230 mijë votues, që nesër mund të ishin në shesh. Uroj që Basha t’i bindë protestuesit që të dalin në shesh. Por sot nuk mund të heqim një sulltan për të vendosur një princ. Basha listat i bëri vetë, marrëveshjen vetë, LSI-në e futi vetë brenda dhe kjo është tallje.
Lidershipi i PD ka një problem të madh dhe nuk e di nëse do i përgjigjet publiku. Nuk vijnë njerëzit me propagandë” tha ai. Ai e cilëson si të pamoralshëm koalicionin me LSI, pasi “para zgjedhjeve Basha e sulmoi, a kërkoi falje për këtë sepse kjo strategji na dërgoi në humbje në 25 qershor”. Edvin Kulluri komentoi edhe sulmin e Kryemadhit ndaj Ramës me çizme në parlament. “Po të isha vetë do ta qëlloja me karrige Ramën” tha Kulluri.

